Transmetuar më 08-10-2019, 12:05

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me kryeministren e Rumanisë, Viorica Dăncilă, gjatë vizitës së tij në Bukuresht. Gjatë takimit me kryeministren rumune, është diskutuar dhe çështja e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, ku Balla ka deklaruar se të dy këto vende i kanë përmbushur detyrat.

“Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Rumanisë mund të konsiderohen në momentin e tyre me të mirë. Ky vlerësimin i atribuohet nivelit të lartë të dialogut politik. Shqipëria dhe Rumania janë anëtare në të gjitha nismat rajonale dhe në shumë organizata e organizma ndërkombëtare.

Rumania, si vend anëtar i BE, dhe Shqipëria, si vend kandidat në BE, konsiderojnë si thelbësore për rajonin integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me inicijativën e Kryeministres Dăncilă u mbajt Forumi Rajonal “Rruga e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”. Duke marrë fjalën në këtë forum u shpreha se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë çeljen e bisedimeve për anëtarësim”, shkruan Balla.

Më tej ai shprehet se Komisioni Europian ka përcaktuar qartë përparimin që kanë bërë dy vendet tona. “Sikurse tha edhe Kryeminstria Dăncilă është në kredibilitetin e vetë BE që Këshilli të ratifikojë rekomandimin e Komisionit, sukurse edhe të Parlamentit Europian.

Rruga e Shqipërisë për hapjen e negociatave kalon detyrimisht përmes reformës në drejtësi, e cila për hir të së vërtetës ka qenë kryefjala e kësaj e Qeverisë sonë, duke e kthyer në prioritet kombëtar për shkak të rëndësisë dhe kompleksitetit që mbart.

Është gjithashtu në kredibilitetin e BE, teksa Kosova ka përmbushur prej kohësh detyrat e shtëpisë, liberalizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai./b.l/noa.al/