Transmetuar më 08-10-2019, 13:14

Të gjitha bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit dhe që njëkohësisht janë të regjistruar në sistemin e TVSH-së duhet të hapin llogari bankare me detyrim, brenda 26 Tetorit.

Aktualisht këtë detyrim e kanë bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë në vit.

Masa e re përfshin të gjitha profesionet e lira.

Të detyruar për të hapur llogari bankare do të jenë edhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në tatime.

Sipas Ministrisë së Financave, përmes rritjes së numrit të bizneseve me llogari bankare synohet të luftohet informaliteti dhe ulja e parave "cash"  në ekonomi.

Mos-hapja e llogarisë bankare do të shoqërohet edhe me penalitete, ë konkretisht për bizneset me xhiro nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë në vit, gjoba do të jetë 25 mijë lekë.

Për ato me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit gjobat do të jenë 50 mijë lekë, ndërsa për organizatat jofitimprurëse 37 mijë e 500 lekë.

Përjashtim nga hapja me detyrim e llogarisë bankare bëjnë bizneset, personat fizike të paregjistruar në TVSH, si dhe shitësit ambulantë.

Gjithashtu përmes një nisme të re ligjore, Qeveria shqiptare përmes bankave dhe Tatimeve do të kërkojë të dhëna për paratë e depozituara jashtë vendit, për të gjithë shtetasit shqiptarë. Kjo nismë ka për qëllim që të identifikojë burimin e tyre, nëse paratë e shqiptarëve të depozituara jashtë vendit tonë, janë apo jo të ligjshme.   /NOA.al/