Transmetuar më 08-10-2019, 19:14

Presidenti Meta deklaroi sot në një forum me studentë se drama e Shqipërisë fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Duke hequr paralele me zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë, dhe procesin e numërimir që përfundoi shpejt, kreu i shtetit u shpreh se problemi në Shqipëri ka të bëjë me lidershipin politik.

Na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin zgjedhje në Danimarkë. Jo se Shqipëria nuk numëron dot votat kaq shpejt, por lidershipi politik këtu ua ka bërë të vështirë mundësinë për të numëruar shpejt. Ka disa veçanti atje, por i mirë është edhe sistemi elektoral. E kanë me lista të hapura. Voton për partinë, por edhe për kandidatin. Ka meritë sistemi sepse qytetari jep mendim për deputetin dhe i vendos partitë nën presion për të vendosur njerëz sa më të mirë.

Drama jonë fillon më 2008. Këtu te ne gjithë sistemi është i mbyllur. Këtu deputetët janë thjesht vartës të eprorit. Kjo ka goditur në thelb dhe në zemër demokracinë parlamentare të Shqipërisë”, u shpreh Presidenti Meta.

Sa i përket një fenomeni shqetësues të viteve të fundit, largimit të të rinjve, Meta tha se është fatkeqësi që vendi po zbrazet.

Në kohën që kam qenë student, iknim shumë, sepse këtu nuk kishte industri. Ndërsa, fatkeqësisht sot po zbrazet vendi nga të rinjtë dhe të rejat. Ka vend kaq Shqipëria sa të mbajë shqiptarët. Të rinjtë nuk duhet që të ikin, por të punojnë në vendin e tyre. Arsyeja atdhetare është shumë e fortë për të mos ikur, por nuk duhet të mbetet thjesht e tillë, sepse të rinjtë duan sukses dhe të ardhme të sigurt. Ne do iu japim shans studentëve që të ngrenë zërin më shumë, të kenë një perspektivë më të mirë të nesërme”, vijoi kreu i shtetit. /k.k/noa.al/