Transmetuar më 09-10-2019, 09:25

Holanda kërkon që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të trajtohen të ndara sa i përket hapjes ose jo të negociatave me Bashkimin Europian, vendim që pritet të merret më 15 tetor në Këshillin e Ministrave, për t’u zyrtarizuar në mbledhjen e Këshillit Europian më 18 tetor.

Përmes një deklarate të Ministrisë së Jashtme holandeze, shpërndarë nga ambasada e saj në Holandë, thuhet se Holanda ndjek në mënyrë kritike progresin në të dyja vendet dhe është e mendimit se Këshilli duhet të vlerësojë secilin vend sipas meritave të veta.

“Vendet kandidate duhet të përmbushin kushtet strikte përpara se të bëjnë një hap tjetër në procesin e integrimit. Në Qershor 2018, Këshilli parashtroi një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Maqedonia e Veriut përpara hapjes së negociatave.

Progresi i bërë është inkurajues. Gjithashtu marrëveshja e Prespës është një shembull për rajonin. Vazhdimësia e rasteve të ndërmara nga Prokuroria Speciale është siguruar me dorëzimin tek Prokurori i Përgjithshëm. Një hap i rëndësishëm që ende duhet të ndërmerret është miratimi i ligjit që garanton prokurorinë e pavarur në rastet e ardhshme të korrupsionit në nivelet e larta”.

Ndërkohë për Shqipërinë Ministria e jashtme Holandeze thekson.“Këshilli ka parashtruar një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Shqipëria përpara hapjes së negociatave. Hollanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Hollanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”./b.l/noa.al/