Transmetuar më 09-10-2019, 10:11

Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas, pasi akuzohet për dhunë ndaj bashkëjetueses së tij. Në pranga ka rënë edhe gruaja e dhunuar, e cila akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” shtetasin R. H., pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses, shtetases A. K., 37 vjeçe.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë për “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe shtetasja e lënduar A. K.

Gjatë kontrollit të ushtruar, kësaj shtetaseje iu gjet në sahatin e ujit të pallatit ku banonte një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë./b.l/noa.al/