Transmetuar më 09-10-2019, 14:05

Autobusi i Crvena Zvezda dhe tifozët e ardhur janë ndalur në kufi nga policia e Kosovës dhe janë kthyer mbrapsht.

Policia e Kosovës ka dhënë urdhër për moslejim të hyrjes së autobusit me futbollistët e klubit të futbollit serb, i cili arriti të mërkurën ne mesdite në vendkalimin kufitar Jarinjë në veri të Kosovës.

Lojtarët ishin nisur drejt Zveçanit për të zhvilluar takimin me Klubin e Futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore, në kuadër të Kupës së Serbisë.

Drejtori i Klubit të Futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore, Bojan Jakshiç, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që përgjigjja e Policisë së Kosovës ndaj kërkesës për organizimin e takimit ndërmjet Trepçës dhe Crvena Zvezdas, ka qenë negative.

“Sot rreth orës 10, ka arritur përgjigja e Policisë së Kosovës në Zveçan, në bazë të kërkesës që e kemi dërguar me 7 tetor, lidhur me organizimin e takimit Crvena Zvezda – Trepça, që kërkesa refuzohet, në bazë të urdhrit të drejtorisë kryesore në Prishtinë”, tha Jakshiç.

Futbollistët e ekipit Crvena Zvezda janë kthyer në Beograd nga vendkalimi kufitar në Jarinjë, ndërkaq që takimi me ekipin Trepça është shtyrë për të enjten.

Në Jarinjë kanë qenë të pranishme forca të shumta të Policisë së Kosovës, si dhe hyrja në Kosovë u është ndaluar edhe tifozëve që ishin nisur drejt Mitrovicës së Veriut.

Më herët, Federata e Futbollit të Kosovës, ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të mos lejojë zhvillimin e këtij takimi si dhe hyrjen e Klubit të Futbollit Crvena Zvezda në Kosovë./NOA.al