Transmetuar më 09-10-2019, 15:28

Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i ka dërguar sot një ftesë zyrtare Partisë Demokratike që të marrë nesër pjesë në mbledhjen e komisionit.

Ftesa i është drejtuar përfaqësuesit të PD, Ivi Kaso, të cilit i thuhet të marrë pjesë në mbledhje nesër në orën 10:00, në Kryesinë e Kuvendit.

"Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore do të zhvillojë një mbledhje ditën e enjte, datë 10 tetor 2019, në orën 10:00, me rend dite: "Diskutimi mbi ecurinë e axhendës së punës së komisionit dhe konkluzionet e tryezës së organizuar nga OSBE, më datë 25 shtator mbi sistemin zgjedhor".

Bashkëlidhur po Ju nis minutat e konferencës "Të mohuar nga sistemi: ndërtimi i një sistemi gjithëpërfshirës për të mbrojtur demokracinë"", thuhet në ftesën e Gjiknurit.

Përgjigja nga PD-ja nuk ka munguar, por ka qenë refuzuese. "I qëndrojmë deklarimit publik që kemi bërë në tryezën e organizuar nga OSBE" tha Gazment Bardhi.

Kjo mbledhje vjen pas tryezës së thirrur nga OSBE, ku e pranishme ishte edhe opozita parlamentare, në të cilën propozoi ngritjen e një strukture të posaçme edhe me prani ndërkombëtare për këtë reformë.

Ndërkohë, kujtojmë që PD është shprehur se Reforma Zgjedhore nuk mund të bëhet me Gjiknurin në këtë komision, pasi sipas kësaj force politike, emri i tij ka dalë në audio-përgjimet për blerjen e votave në Dibër./b.l/noa.al/