Transmetuar më 10-10-2019, 07:09

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Serbi ku nisi takimet dyditore mbrëmë duke darkuar me Presidentin Alexandar Vuçiç, keyeministren Ana Brnabiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Vizita e Ramës ka të bëjë me projektin e kahershëm të promovuar fort nga z. Vuçiç për mini shengenin ballkanik që po mbështetet edhe nga Shqipëria e Maqedonia.

Temë kryesore e takimit do të jetë propozimi i tij për krijimin e një “Shengeni të vogël”, me qëllim integrimin më të mirë të tregjeve në rajon dhe heqjen e pengesave për biznesin dhe rrjedhën e lirë të mallrave dhe njerëzve në territorin e tre vendeve, raportojnë mediat serbe.

Por Kosova është kundër këtij projekti që e lë jashtë duke thelluar izolimin e saj.

Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, e cila është e lënë jashtë saj, pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet europiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Shumë në Kosovë thonë se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani.

Sot në Novisad, pritet që në përfundim të takimit dyditor, të tre liderët të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një Mini Shengen ballkanik, por që për disa në Kosovë shihet të jetë një rijetësim i ‘Jugosllavisë’.