Transmetuar më 10-10-2019, 08:43

Dalin detajet e para nga ngjarja e rëndë që tronditi Kavajën, ku një person ka mbetur i vrarë, ndërsa një tjetër është plagosur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 në banesën e një gruaje, në lagjen numër 2 të qytetit ku një efektiv i policisë së burgjeve është përplasur me armë me një tjetër person.

Për pasojë ka mbetur i plagosur efektivi Bledar Toçi 36 vjeç dhe ka humbur jetën personi tjetër i identifikuar si Dritan Haxholli.

Dinamika e ngjarjes

Ka qenë ora rreth 0:45 e mëngjesit kur viktima Dritan Haxholli shkoi në banesën e ish të dashurës së tij. Arsyeja ishte që Haxholli të fliste me ish të dashurën e tij pasi ishin ndarë së fundi.

Në atë moment, aty ndodheshin tre shokë të vajzës, mes tyre edhe Bledar Toçi, një polic burgjesh.

Kur Haxholli është afruar te porta e shtëpisë, ka dalë Bledar Toçi për ta hapur. Dy burrat u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe sherri precipitoi në përdorimin e armëve. Haxholli ka hapur zjarr me kallashnikov dhe Toçi e ka pasuar me pistoletën e tij të detyrës si polic burgjesh.

Për pasojë Dritan Haxholli ka vdekur dhe polici Toçi është plagosur dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Policia ka marrë në pyetje gruan e re por edhe policin për të zbardhur të plotë ngjarjen që tronditi Kavajën mëngjesin e sotëm./b.l/noa.al/