Transmetuar më 10-10-2019, 11:49

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka komentuar takimin që po zhvillon kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Novi Sad të Serbisë me Presidentin Aleksandër Vuçiç dhe dhe Zoran Zaev. Gjatë këtij takimi të tre liderët do të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, duke e emërtuar këtë si një ‘Mini Shengen ballkanik’.

Përms një postimi në Facebook Vasili thotë se dështimi dramatik i Edi Ramës në procesin e Integrimit është një faj historik i pashlyeshëm i tij, ndërsa shton se do të mbetet zhgënjimi më i madh për shqiptarët të cilët besuan dikur tek ky fjalaman.

“Edi Rama nga bulevardi i gjerë i BE te rruga e dhive të Jugosllavisë së re. Dështimi dramatik i Edi Ramës në procesin e Integrimit është një faj historik i pashlyeshëm i tij. Ai është do të mbetet zhgënjimi më i madh për shqiptarët të cilët besuan dikur tek ky fjalaman, që i katandisi ata nga bulevardi i gjerë i Europës tek rruga e dhive të Jugosllavisë së re. Shqiptarët presin hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe kjo aspiratë e tyre është legjitime dhe hap realisht perspektiva shumë të gjera për vendin dhe për çdo qytetar. Jugosllavia e re nuk është asgjë tjetër veçse një shpirt i vdekur dhe një relike pa asnjë vlerë”, shkruan Vasili.

Më tej ai shprehet se Bashkimi Europian dhe realiteti integrues që ai realizon si në planin e lëvizjes së lirë, në planin ekonomik dhe atë politik është një projekt shumë i madh përballë të cilit Jugosllavia e re është veçse një reminishencë provinciale qesharake.

“Jugosllavia e re pas të cilës bredh me një gëzim të dëshperuar Edi Rama e bën atë që ti ngjajë dhimbshëm Çiçikovit personazhit të famshëm të Nikollaji Gogolit që mblidhte Shpirtra të Vdekur. Kjo soj Jugosllavie e re është thjesht një vdekësirë,që synon të akomodojë intrigat dhe ambiciet demode të disa liderave ballkanikë. Këta lidera të cilët të paaftë të përballen me sfida madhore si anëtarësimi në BE përpiqen të krijojnë by pass të rinj thënë më thjesht të zëvendësojnë autostradën e gjerë të BE me një rrugë dhish fshati si kjo medemek e Jugosllavisë së re”, tha ai.

Sipas Vasilit, “Eshtë e qartë se një kryeministër terësisht i paaftë,mediokër dhe vulgar si Edi Rama e gjen më së miri veten në këto nisma të vdekura sorrosiste,që devijojnë nga rruga transparente dhe vizionarë e integrimit europian në integrimin fshataresk drejt një projekti të vdekur pa kuptim dhe me zero impakt si ky i pseudoJugosllavisë. Çdo lloj mikropengesë burokratike mes vendeve të Ballkanit ka dhjetra mundësi të thjeshta zgjidhjeje përmes marrëveshjeve dypalëshe ,ndaj dhe butaforia e Jugosllavisë së re thjesht është kundër atij dimensioni që qytetarët presin dhe që është aspirata e pandryshuar për të qenë pjesë e BE”./b.l/noa.al/