Transmetuar më 11-10-2019, 10:49

“Ekonomia shqiptare ka premisa solide për vijimin dhe përshpejtimin e ritmeve të rritjes. Forcimi i stabilitetit financiar, paralelisht me ndjekjen e politikave të kujdesshme monetare, ofron një garanci shtesë për qëndrueshmërinë e saj. Megjithatë sfidat që kemi përpara nuk janë të pakta.” -kështu u shpreh Guvernatori Gent Sejko, në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Sejko theksoi se objektivi final i punës së Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

“Filozofia jonë e punës bazohet në katër shtylla kryesore: profesionalizëm, përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe transparencë. Kjo filozofi u testua dhe u pasurua me disa mësime të vlefshme gjatë dekadës së fundit:

Së pari, autoritetet monetare, mbikëqyrëse e rregullatore, duhet të kenë një qëndrim proaktiv ndaj stabilitetit monetar dhe financiar të vendit. Kjo kërkon rritjen e kapaciteteve institucionale, si dhe adoptimin e një përqasjeje kundërciklike, si në politikën monetare dhe në atë makroprudenciale. Gjithashtu, ajo kërkon identifikimin e vazhdueshëm të sfidave aktuale dhe potenciale dhe adresimin në kohë të tyre. Së dyti, rritja ekonomike afatgjatë duhet ankoruar në reforma strukturore të vazhdueshme. Autoritetet publike e kanë të pamundur – e ndoshta të paarritshme – të parashikojnë apo të shmangin plotësisht goditjet. Megjithatë, autoritetet publike dhe sektori privat mund të minimizojnë efektet e këtyre goditjeve, nëpërmjet reformave strukturore, të cilat synojnë krijimin e strukturave sa më produktive dhe elastike, si dhe nëpërmjet ruajtjes së qëndrueshmërisë së bilanceve financiare. Autoritetet publike dhe sektori privat duhet të jenë të ndërgjegjshëm se përfitimet afatgjata të reformave i tejkalojnë kostot afatshkurtra të tyre. Së treti, integrimi financiar ofron një kanal shtesë ekspozimi ndaj goditjeve të huaja, qofshin këto kriza financiare ndërkombëtare apo luhatje të kuadrit rregullator. Në tërësinë e tij, integrimi financiar ka qenë dhe do të mbetet një faktor pozitiv zhvillimi. Ai sjell në Shqipëri kapital financiar dhe ekspertizë menaxheriale, duke pasur një zinxhir efektesh pozitive në ekonominë shqiptare dhe duke pararendur integrimin ekonomik e politik të vendit. Megjithatë, ky integrim bën të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët dhe institucionet homologe ndërkombëtare. Së fundi, stabiliteti monetar e financiar i vendit nuk mund të jetë përgjegjësi e vetme e bankës qendrore, sado primar të jetë roli i saj në të. Ai kërkon kontributin dhe bashkëpunimin e të gjitha autoriteteve shtetërore”, tha Sejko.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se duhet të funksionojnë sistemi gjyqësor dhe shteti i së drejtës për të rritur efektivitetin e bankave në Shqipëri. Ai ka deklaruar se në 10 vitet e fundit, bankat në Shqipëri kanë raportin më të ulët dhënies së kredive.

“Mbetet shqetësim se bankat në Shqipëri kanë efektivitet shumë të ulët në ekonomi. Ato japin kredi në përqindje shumë të ulët nga depozitat që disponojnë. Duke iu referuar vlerësimit të tyre nga BQE, vërehet se gjatë  10 viteve të fundit Shqipëria ka raportin më të ulët të kredisë ndaj depozitave dhe raportin më të ulët të arkëtuar të sistemit bankar ndaj PPB.

Sipas BQE një nga arsyet pse bankat kanë frenuar kreditimin në Shqipëri lidhet me dobësitë e sundimit të ligjit. Për këtë arsye një kthim dhe forcim në shinat e ligjshmërisë dhe funksionim të shtetit të së drejtës për funksionimin e plotë të gjyqësorit si dhe lufta ndaj korrupsionit do të sillte ndikim të mirë jo vetëm ndaj vendit, por edhe në efikasitetin e drejtpërdrejtë bankar mbi ekonominë shqiptare”, tha Meta./b.l/noa.al/