Transmetuar më 13-10-2019, 13:59

Policia ka izoluar  vendin e ngjarjes ku u helmuan 26 zyrtarët nga zarfet e ardhura nga Serbia

Forca të shumta policore janë mbledhur në vendin ku po verifikoheshin zarfet e ardhura nga Serbia dhe po hetojnë ngjarjen e pazakontë.

Para pak minutave autoambulanca me zyrtarët e helmuar kanë mbërritur në Klinikën Infektive.

Raportohet se 9 nga 26-zyrtarët kosovarë, të cilat dyshohet se janë helmuar nga zarfet me vota nga Serbia në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, po trajtohen te Infektivi, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet se është disi më e stabilizuar.

“Gjendja është stabile. Kanë pasur disa skuqje. Janë nëntë persona që po trajtohen”, ka thënë drejtori i Shërbimit Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu.

Ndërkohë edhe salla ku janë këto zarfe për momentin është e mbyllur.

Policia për momentin nuk po lejon asnjë zyrtar dhe as qytetar t’i afrohet qendrës së votimit.

Zyrtarët kosovarë dyshohet se janë helmuar nga zarfet me vota, të cilat kanë ardhur nga Serbia.

Zyrtarët kanë pasur simptoma të temperaturës, kruarjes  e djegies në fytyrë e duar.

Sipas zëdhënësit të KQZ Valmir Elezi deri të shtunën në mesnatë janë rinumëruar 141 prej 314 vendvotimeve dhe se ky proces po vazhdon edhe të dielën. Elezi, ka sqaruar edhe pse rinumërimi në QNR zgjat më shumë se numërimi i fletëvotimeve në vendvotime ditën e zgjedhjeve./NOA.al