Transmetuar më 13-10-2019, 16:23

Kombëtarja kuqezi mbërriti dje pasdite në Moldavi, për ndeshjen e radhës, e vlefshme për kualifikueset Euro 2020.

Ndaj Moldavisë Shqipëria luan “kartat” për vendin e tretë, pasi me humbjen dramatike, që kuqezinjtë pësuan me Turqinë, kualifikimi është thuajse mision i pamundur.

Turqia ka aktualisht 9 pikë më shumë se Shqipëria.

Vështirë të besohet se Franca, kampione bote në fuqi, do të parakalohet nga ndonjë skuadër tjetër e grupit tonë, aq më pak nga Shqipëria, me të cilën ka ndeshje direkte në nëntor.

Një fitore me Moldavinë, do të afronte kuqezinjtë pranë vendit të tretë, që mbahet aktualisht nga Islanda.

Kombëtarja Shqiptare, ka zhvilluara paradite seancat e para në Moldavi.

Sot do të kenë edhe konferencën për shtyp të trajnerit Edi Reja dhe kapitenit Ledian Memushaj. Ndërkohë, në program është edhe një tjetër stërvitje në orën 19:30, e cila do të jetë edhe stërvitja e fundit para ndeshjes përballë kombëtares moldave.

Takimi i nesërm, është një takim i lehtë në letër për kuqezinjtë duke parë kundërshtarin që kanë përballë megjithatë, Moldavia ka treguar disa herë se di të hapë probleme.

Kuqezinjtë besojnë se lanë pas zhgënjimin e humbjes, në minutën e fundit me Turqinë dhe tashmë ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës, atë me Moldavinë që do të luhet në mbrëmjen e së hënës.

Trajneri Reja po mendon ndryshime në sulm, ndërsa nuk dihet nëse Manaj me rastet e shpërdoruara ndaj Turqisë, do të jetë sërish pjesë e sulmit në Moldavi.

Sfida mes Moldavisë dhe Shqipërisë do të gjykohet nga 3 arbitra angleze ku gjyqtar kryesor është Chris Kavanagh, ndërsa asistentë të tij janë Daniel Richard Cook dhe Constantine Hatzidakis, gjyqtar i katërt është Stuart Attwell./NOA.al