Transmetuar më 14-10-2019, 14:19

Disa politikanë kryesorë francezë kanë bërë thirrje që ndeshja kualifikuese e Francës "Euro 2020", kundër Turqisë në Paris, të anulohet, pasi lojtarët turq e festuan golin dhe fitoren me një përshëndetje ushtarake të  Premten, në takimin e fundit ndaj Shqipërisë.

Gjesti erdhi po atë ditë pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nisi një inkursion ushtarak në Siri për të larguar forcat kurde nga kufiri. Ndërhyrja ushtarake erdhi pas vendimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e të gjitha forcave të mbetura amerikane nga veriu i Sirisë.

Përshëndetja ushtarake, e dënueshme nga UEFA, erdhi pas golit të Cenk Tosun në minutat e fundit kundër Shqipërisë në Stamboll, gol që mbajti Turqinë në krye të Grupit H.

Pas ndeshjes, faqja zyrtare në Twitter e ekipit kombëtar turk ngarkoi një foto ku tregohej gjithë skuadra dhe stafi, duke bërë të njëjtin gjest në dhomat e zhveshjes, me titullin se lojtarët "ua kanë kushtuar fitoren e tyre ushtarëve tanë trima dhe shokëve dëshmorë."

Jean-Luc Melenchon, drejtuesi i partisë së majtë populiste të Francës France Insoumise, tha se, "nëse futbollistët turq bëjnë përshëndetje ushtarake, ata duhet të presin që të trajtohen si ushtarët e një ushtrie armike. Kështu që ne nuk luajmë futboll kundër tyre. Bazat e sportit nuk janë më atje!"

Ndërkohë, Jean Christophe Lagarde, udhëheqësi i qendrës së djathtë UDI, u shpreh: "Me këtë përshëndetje ushtarake, ekipi turk i futbollit ka thyer kufirin që duhet të ndajë sportin nga politika. Ne nuk mund t’i mirëpresim me dinjitet në "Stade de France" nesër, ata që përshëndetën masakrën e aleatëve tanë kurdë".

Ndërsa drejtuesi i Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë të Francës, Marine Le Pen, shkroi: "Duket platformë e propagandës  Erdogan, veprimet e së cilës në Siri shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, ekipi turk i futbollit ka flakëruar vlerat e sportit.

Federata Turke e Futbollit nuk ishte e disponueshme për komente, përpara ndeshjes së të hënës.

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, tha se himni kombëtar i Francës – do të jetë me zë të lartë aq sa të mbysë ndonjë bilbil nga mbështetësit turq që do të jenë në stadium, në një ndeshje që pritet të jetë e ashpër.

Të Shtunën, Franca – së bashku me Gjermaninë – njoftuan se do të ndalonte shitjen e armëve për Turqinë pas pushtimit të vendit në Siri.

Rreth 3,800 tifozë turq priten në stadiumin prej 78,000 vende të ulura, në "Stade de France", me kapacitet për ndeshjen e së hënës. Në vizitën e fundit të Turqisë në Francë,  më 2009, ndeshja duhej të ndalohej përkohësisht pasi tifozët hodhën fishekzjarre dhe kapsolle në fushë./NOA.al