Transmetuar më 15-10-2019, 14:07

Moldavia ishte testi më i rëndësishëm në 3 ndeshjet e mbetura, një ndeshje që vinte pas një humbje të pamerituar në Turqi që na nxori jashtë “Euro2020”. Edi Reja shijoi gjithçka prodhoi ky 90-minutësh, golat, lojën, debutimet, gjithçka shkoi në mënyrë perfektë.

“U treguam të zotë. Ishte një nga ato ndeshjet që e quaj të vështirë, sepse duhet përqendrim i lartë, edhe pse kundërshtari ishte modest. Është e vështirë, edhe nga ana e motivimit. Kur ishim 3-0, e menaxhuam mirë.

Në intervistën e tij për mediat pas fitores kundër Moldavisë, Reja u ndal edhe tek individë si Lorenc Trashi, ndërsa nuk nguroi dhe një herë të vendos objektivin e fundit në këto kualifikuese, vendi i tretë.

“Bëmë një paraqitje të mirë si skuadër. Trashi, përtej golit, bëri një paraqitje të mirë. Goli është një sforco kolektive. Më pëlqen që po formojmë një grup kolektiv të fortë. Bëmë një pjesë të dytë të mirë, menaxhuam rezultatin. Ndërkohë, në pjesën e parë ishim aty, dhe bëmë gjithçka mirë.

Më vjen mirë që ky grup është i bashkuar, dhe do vijojë kështu. Kemi besim se do i shkojmë kësaj rruge deri në fund. Do tentojmë të pamundurën. Objektivi jonë mbetet vendi i tretë.. Do mundohemi deri në fund, duhet të vazhdojmë me këtë rritëm”, tha Reja.