Transmetuar më 16-10-2019, 15:24

Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 8-të.

Pas pauzës për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, skuadrat rikthehen për ambiciet e tyre, në këtë pjesë të parë, ku beteja për kreun mbetet e ashpër.

Spikat ndeshja në Shkodër mes Vllaznisë dhe Partizanit.

Janë përcaktuar edhe datat e oraret e sakta të 5 ndeshjeve të këtij raundi, të cilat do të luhen në harkun kohor të dy ditëve.

Java  do të nisë me derbin bregdetar mes Teutës dhe Flamurtarit, që do të zhvillohet të premten në orën 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, për shkak të punimeve që po kryhen në “Niko Dovana” të Durrësit.

Katër sfidat e tjera do të luhen ditën e shtunë, ku fillimisht do të jetë përballja Luftëtari-Bylis, në orën 14:00, ndërsa më pas në orën 17:00 do të jetë radha e takimeve Vllaznia-Partizani, Skënderbeu- Kukësi dhe Tirana-Laçi.

Të tre këto takime janë edhe më interesantet e javës, pasi mund të sjellin edhe konfigurime të tjera të kreut të tabelës në Kategorinë Superiore, që këtë fillim sezoni është vërtetë mjaft i ngjeshur.

Të premten:

Teuta – Flamurtari            18:00

Të shtunën:

Luftëtari – Bylis                  14:00

Vllaznia – Partizani            17:00

Skënderbeu – Kukësi      17:00

Tirana – Laçi                         17:00