Transmetuar më 17-10-2019, 17:10

Rudina Hajdari do të vijojë që të jetë në krye të grupit Demokrat.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se nuk e njeh Korab Litën si kryetar të grupit Demokrat, pas vendimit të disa deputetëve të opozitës së Re, për të shkarkuar Rudina Hajdarin.

Më 11 tetor 7 deputetë të këtij grupi parlamentar, në një mbledhje të fshehtë, vendosën që të shkarkonin Rudina Hajdarin nga drejtimi i grupit, duke iu drejtuar Kuvendit me shkresën që e vendosnin në dijeni për ndryshimin e kryetarit.

Disa orë më pas, disa nga deputetët e këtij grupi, u tërhoqën nga firma. Njëra prej tyre ishte Fatjona Dhimitri, por edhe Halit Valteri, të cilët iu drejtuan kryetarit të Kuvendit, duke e vendosur në dijeni për tërheqjen e tyre.

Hajdari akuzoi Korab Litën se ushtroi presion deputetëve për të firmosur që të bëhej kryetar grupi. I vendosur përballë kësaj situate, me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi, u shpreh sot në përfundim të seancës plenare, teksa po votohej rendi i ditës, se grupi demokrat duhet të unifikonte qëndrimin, ose ndryshe .

“Më ka ardhur një njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit Demokrat, të cilët deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën, si dhe nga deputetë të tjerë si Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri, që më kanë drejtuar shkresë për të më vendosur në dijeni se ky vendim nuk është marrë;.

"Nga deputeti Murrizi dhe zonja Hajdari, konfirmojnë të njëjtën gjë. Kam 5 kërkesa nga Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Ryci, Elda Hoti dhe Vasil Stejovski, që deklarojnë pjesëmarrjen në grupin Demokrat".

"Nga verifikimi që kam bërë, kam tre gjëra për të thënë, e para, jo vetëm këtij grupi por të treja, në fund të korrikut është miratuar rregullorja, që detyron që çdo grup të miratojë rregulloren, prandaj kërkoj që të vendosni në dispozicion rregulloret përkatëse.  Lidhur me kërkesat e patë që janë disa, riformatoni grupin parlamentar zotërinj që keni kërkuar, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë për mendimet apo vendimet, së bashku me prurjet e reja dhe së treti unifikoni qëndrimet, pasi është e drejta juaj të zgjidhni kë të dëshironi në krye të grupit” deklaroi Gramoz Ruçi.

Vendimi është pritur me duartrokitje nga deputetja Rudina Hajdari që do të vijojë që të jetë në krye të grupit parlamentar Demokrat. /NOA.al