Transmetuar më 17-10-2019, 17:52

Feston 15 vjetorin e debutimit zyrtar me Barcelonën, me një trofe personal.

Lionel Mesi, sulmuesi argjentinas fitoi Këpucën e Artë, dhe u vlerësua në një ceremoni të bukur për titullin e shënuesit më të mirë sezonin e kaluar, falë 36 golave në la Liga.

Futbollisti i skuadrës katalanase u vlerësua me këtë trofe të rëndësishëm për herë të 6 në karrierë, duke lënë pas Kilian Mbape’ dhe veteranin e serisë A, Fabio Kualjarela.

Messi u shpreh se dëshiron që të flasin të tjerët për të dhe jo ai për veten.

“Preferoj që të tjerët të flasin për mua. E di çfarë jam, çfarë kam bërë dhe çfarë mund të bëj. Të tjerët le të komentojnë”, deklaroi ai.

“Ia dedikoj këtë çmim familjes dhe skuadrës time, pa të cilët nuk do të kisha fituar asgjë. Për golat e mi kanë meritë të madhe Suarez dhe Zhordi Alba. Ëndërroj të fitoj një tjetër Champions me Barcelonën dhe kjo është sfida më e madhe për mua tani”, theksoi Leo Messi.

Prej debutimit të tij në Tetor 2004, Lionel Mesi ka arritur të fitojë 34 trofe me Barcelonën, duke asfaltuar çdo rekord të klubit blaugrana e duke u vetë kandiduar si një nga futbollistë më të mirë të historisë, në mos më i miri prej të gjithëve.

Messi nuk e ka nisur mjaft mirë këtë sezon, pasi ka qenë i dëmtuar në fillim të tij. /NOA.al