Transmetuar më 18-10-2019, 12:09

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” personalitetin amerikano-izraelit, Ichak Adizes.

Në Facebook, ndërsa shpërndarë foto nga dhënia e Titullit, Presidenti Meta shkruan se Adizes ka lidhje të fortë me kombin shqiptar dhe se historia e tij është një nga qindra histori të hebrenjve që gjatë Luftës së Dytë Botërore gjetën strehim në Shqipëri.

“Pata sot kënaqësinë të vlerësoja me Titullin “Mjeshtër i Madh” një personalitet të shquar amerikano – izraelit, profesor, autor i shumë librave, konsulent i shquar biznesi dhe mendimtar me përmasa botërore, me kontribute të çmuara akademike për zhvillimin e konsolidimin e demokracisë në Europën Lindore, Dr. Ichak Adizes, i cili ka një lidhje të fortë me kombin shqiptar.

Historia e Tij është një nga qindra histori të hebrenjve që gjatë Luftës së Dytë Botërore gjetën strehim në Shqipëri dhe që me shumë guxim, fisnikëri dhe dashuri u mbrojtën nga populli shqiptar, me një virtyt të jashtëzakonshëm njerëzor që nderohet edhe sot jo vetëm nga familjet e shpëtuara dhe shteti i Izraelit por edhe nga e mbarë bota dhe historia.

Gjatë karrierës së Tij të gjatë Dr. Adizes ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e menaxhimit dhe të psikologjisë njerëzore, duke nxitur përgjegjshmëri të thellë, përkushtim, ekuilibër dhe fleksibilitet.

I lumtur të merrja dhuratë edhe librin e Tij të parë të përkthyer në shqip “Menaxhimi i cikleve të jetës së korporatave”, që mezi po pres ta lexoj.