Transmetuar më 18-10-2019, 13:14

Me shumë gjasa aspiratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet të presin edhe për disa kohë.

Me debate të tensionuara u shoqërua deri në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes mundësia e çeljes së negociatave për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fund, udhëheqësit e vendeve të BE-së nuk qenë në një mendje qoftë edhe mbi një deklaratë që të ofronte inkurajim dhe shtyrje të vendimit zyrtar.

Presidenti francez Emmanuel Macron e kundërshtoi me forcë çeljen e bisedimeve të anëtarësimit, e në fund,  mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët ishin në favor të kësaj lëvizjeje.

Kryeministri Holandez Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm i cili do të lejonte që negociatat të çeleshin me Maqedoninë e Veriut ndërsa Shqipëria të vendosej në listë pritjeje.

Sipas Ansa, karta e fundit e hedhur në tryezë për ta bërë presidentin francez të ndryshojë mendim, të cilën e hodhi Finlanda, ishte  që të “sakrifikohet Tirana dhe të shpëtohet Shkupi” në përpjekjen përfundimtare për të mos destabilizuar rajonin.

Nëse krerët e BE nuk japin dritën e gjelbër për negociatat “qeveria jonë do të vdesë”, paralajmëroi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Mundësia e ndarjes së të dy vendeve në këtë proces nuk gjeti mbështetjen e  Francës.

Disa shtete si Italia dhe Austria janë shprehur se dëshironin një rrugë të qartë për të dy vendet dhe se nuk ka kuptim që ato të lihen ende në pritje, madje nuk donin që Shqipëria të ndahej nga Maqedonia e Veriut, aq sa në të një rast të tillë, nuk përjashtuan votën kundër, duke i komplikuar edhe më tepër bisedime.

Ndonëse, me pak shpresë që të merret një vendim pozitiv që negociatat të çelen pas samitit, Gjermania duhet theksuar se pë herë të parë është rreshtuar zyrtarisht pro dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe pse me kushte, çka jep optimizëm se prej saj do të gjendet një kompromis sa më premtues, edhe nëse sot nuk do të ndizet drita jeshile./NOA.al