Transmetuar më 18-10-2019, 14:31

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen. Kjo është ajo që mësohet nga burimet diplomatike evropiane në samitin e BE-së, cituar nga ‘Ansa’, ku shtetet anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama paralajmëron një konferencë me gazetarët sot në orën 17:00. Së bashku me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, shefi i qeverisë do të flasin për negociatat, në një ditë që pritet të jepet edhe vendimi final i BE për hapjen ose jo të negociatave me vendin tonë.

“Në orën 17.00 në Kryeministri – konferencë për shtyp me gazetarët e Kryeministrit Rama dhe ministrit në detyrë për Europen dhe Punët e Jashtme, Cakaj”, njofton Kryeministria.

Deri më tani, në Bruksel, janë 25 vende nga 28 që kërkojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por Franca udhëheq kundërshtuesit në këtë proces. Për vendimin final “Po”, duhet unanimitet në vendim, pra që të 28 vendet anëtare të unionit të jenë dakort./b.l/noa.al/