Transmetuar më 18-10-2019, 17:39

Kryeministri i vendit Edi Rama doli në një konferencë për shtyp, krahas ministrit Gent Cakaj, pas vendimit të Këshillit Europian, i cili bllokoi përpjekjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat.

Pas samitit dyditor në Bruksel, kur sërish u vendos për shtyrje te negociatave, Rama u shpreh i bindur se vendimi nuk ka lidhje me Shqipërinë. Kryeministri u shpreh se Gjermania bëri përpjekje deri në fund, por Franca i qëndroi bllokimit, për arsyet e saj politike.

I pyetur nëse do të kërkonte votëbesim në Kuvend, lidhur me vendimmarrjen, Rama e spostoi përgjigjen, duke thënë se nuk mund t’ia kërkojë këtë gjë Francës, për Macron, duke sjellë edhe rastin e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri e sheh vendimin si një përplasje të brendshme mes Gjermanisë dhe Francës.

Kryeministri u shpreh pas vendimit, se disa vende historike pro Shqipërisë si Austria dhe Italia, por së fundmi edhe Gjermania, treguan se janë partnere të vërteta të interesave tona.

Rama tha se “sheh si një përplasje mes të mëdhenjve dhe një “lojë” interesash, shumë më e madhe se ne, qoftë neve si Shqipëri apo në rajon. Por askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton integrimin tonë në BE.”

“Përgjegjësia është e brendshme e BE-së. Është e papranueshme që shtrohet diskutimi, që vendimi i djeshëm, vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur detyra, dy herë rresht. Në qershor vendet e BE-së thanë se do të merrej vendimi, që pritej të ishte pozitiv”.

Rama tha se kishte një konflikt brenda BE-së, një përplasje mes vendeve të ndryshme të Europës. Madje sipas tij Kryeministri italian e cilësoi “gabim historik” vendimin, dhe shtoi se Franca është një nga themelueset e BE-së, dhe kishte të drejtën e reformimit të familjes Europiane. “Ne do të ndërtojmë Shqipërinë Europiane, në vendin tonë”, tha Rama.

“Në fund procesi i integrimit është proces transformimi i brendshëm”.

Rama paralajmëroi rreth drekës se do të fliste “mbi dështimin e konsensusit në Këshillin Europian, lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut; konkluzionet e liderëve europianë pas përfundimit të raundeve të Këshillit; objektivat e kësaj faze të re në rrugëtimin që vazhdon.”

Kryeministri Edi Rama ndodhej prej dy ditësh në Bruksel, ku shpresonte çeljen e negociatave me Bashkimin Europian./NOA.al