Transmetuar më 18-10-2019, 18:42

Kryetari  i Partisë Demokratike e nisi me një keqardhje për “jo-në” e negociatave, fjalimin e tij pas vendimit të Këshillit Europian.

Në konferencë me gazetarët, Lulzim Basha tha se përtej keqardhjes, gjithçka ishte e pritshme që Shqipërisë nuk do t’i hapeshin negociatat.

“Dua ta nis me shprehjen e keqardhjes time për ditën e sotme. Nuk është ajo që kemi dëshiruar, por do ishte një gënjeshtër e madhe ndaj shqiptarëve po të thonim që nuk e prisnim”, tha Basha.

Dhe për këtë vendim sipas tij, ka të bëjë fakti se Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës po bën hapa pas.

“Arsyet janë fare të qarta, dhe ftoj këdo që mund t’i ketë harruar që t’i rikthehet 9 kushteve të Bundestagut. Për shkak se vendi po shkon prapa nën qeverisjen aktuale”, vijoi lideri demokrat.

Ai tha se “PD dhe unë, kemi punuar fort për të bindur miqtë tanë në Bundestag që ta transformonin jo-në e tyre në një process kushtëzimi që do mundësonte reformat dhe po-në për hapjen e negociatave.

Ndërkohë hodhi poshtë pretendimet e Kryeministrit Rama se ky vendim lidhet me përplasjet brenda BE-së. /k.k/noa.al/