Transmetuar më 18-10-2019, 23:15

Zhgënjim për “jo-në” e negociatave e ka shprehur edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik.

Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim”, thuhet në reagimin e DASH.

Përmes zëdhënëses, ky institucion vlerëson arritjet e dy vendeve në përpjekje për t’iu afruar Europës, duke garantuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim.

“Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon reagimi i Departamentit të Shtetit. /k.k/noa.al/