Transmetuar më 20-10-2019, 08:26

Gjatë samitit të BE-së, që u mbajt në Bruksel për dy ditë me radhë, dy ishin vendet perëndimore që dolën hapur pa kushte pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ato jo vetëm dolën hapur pro Shqipërisë, por kundërshtuan me forcë qëndrimin e Francës, vendi që udhëhoqi bllokimin e vendit tonë, mbi çeljen e negociatave.

Vendimi i Këshillit Evropian për të mos hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas kundërshtimit nga Franca, Holanda dhe Danimarka, ka krijuar zemërim të madh te disa vende të BE-së.

Mes vendeve më të zhgënjyera për vendimin negativ të KE është Italia, e cila ka shprehur gjithmonë mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, ka deklaruar pas vendimit të KE se do t’i propozojë Bashkimit Evropian të marrë sërish në shqyrtim hapjen e negociatave të për vendet ballkanike në muajin nëntor 2019. Për kryeministrin Conte vendimi i KE është një gabim historik, duke paralajmëruar se ky vendim i hapë rrugë aktorëve të tjerë, që të rrisin influencën në rajon.

“Dështimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një shuplakë e madhe, një gabim historik. Ne do të propozojmë ta çojmë çështjen në BE, që të shqyrtohet në fillim të nëntorit. Me këtë vendim, Evropa jo vetëm po dëmton veten, por rrezikon të përfitojnë vendet e tjera për të zgjeruar sferën e ndikimit në rajon”, tha kryeministri italian, Giuseppe Conte, pas vendimit të KE.

Edhe Gjermania ka mbështetur këtë qëndrim, duke u shprehur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në Europë dhe paralajmëroi se do të luhen të gjitha kartat që të shihet mundësia e çeljes së negociatave para samitit të Zagrebit.

Austria nga ana tjetër kundërshtoi fuqishëm Francën, duke shprehur besim se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë./NOA.al