Transmetuar më 21-10-2019, 10:24

Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, deklaron se klienti i tij do të nisë deponimet kundër ish-Kryeministrit Sali Berisha, lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit.

Ai shton se kjo gjë vjen pas incidentit të fillim tetorit ku makina me të cilën transportohej Haxhia, u përfshi në incident.

“Izet Haxhiaj pritet të fitoi statusin e të mbrojturit të drejtësisë, ndërkohë që sot rifillojnë deponimet e tij si dëshmitar okular kundër krimeve të kryera nën nxitjen, frymëzimin dhe organizimin e Sali Berishës. Pas incidentit të rëndë të datës 9 tetor 2019 kundër Izet Haxhisë dhe fillimit të procedimit penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë ngjarje, si dhe pas ndërprerjes për një javë të deklarimeve të këtij dëshmitari okular kundër Sali Berishës për krimet e kryera gjatë viteve 1991-1999, institucionet përkatëse, duke filluar nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit dhe deri te Ministria e Drejtësisë, kanë marrë një serë masash në mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së Izet Haxhisë dhe të fejuarës së tij Eriona Paruca”, shkruan Beqiri.

Ai thotë se janë marrë masa të posaçme sigurie në burgun ‘302’ ndaj Izet Haxhisë dhe se thuajse ka ndryshuar plotësisht i gjithë regjimi i ruajtjes së tij, i kontrollit të ushqimit, i shoqërimit të tij në takimet me avokatin, me të fejuarën e tij, gjatë komunikimeve telefonike etj.

Sipas avokatit, në kushtet kur veç avokatit të tij, i vetmi person që po i qëndron pranë, që plotëson nevojat e tij dhe që ndihmon Izet Haxhinë është e fejuara e tij, Eriona Paruca, janë eleminuar plotësisht incidentet e qëllimshme kundër saj në raport me takimet dhe kontaktet me Izet Haxhinë si dhe janë marrë me seriozitetin e duhur dhe po trajtohen ligjërisht të gjitha kërcënimet e rënda, fyerjet, poshtërimet dhe kanosjet për vrasje që i janë bërë asaj prej disa individëve konkret dhe anonim në faqet e Facebook, në telefon etj.

Beqiri thotë se si përfaqësues dhe mbrojtës ligjor i Izet Haxhisë, si dhe vetë Izet Haxhiaj, i kanë kërkuar prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që, për vetë natyrën e deponimeve të Izet Haxhisë, për krimet e rënda që janë kryer dhe që po zbardhen prej tij, për subjektin kryesor, autorin e kryerjes së këtyre veprave me rrezikshmëri të lartë dhe pasoja të rënda për Shqipërinë, “siç është ish-Presidenti i Republikës Sali Berisha”, për rrezikshmërinë potenciale që paraqet ai edhe aktualisht në zhdukjen e provave dhe të dëshmitarëve okularë, t’i jepet Izet Haxhisë statusi i të mbrojturit të drejtësisë.

“Të përgjegjshëm se një vendimmarrje e tillë për t’i dhënë Izet Haxhisë statusin e të mbrojturit nga drejtësia do kohën dhe procedurat e veta, ditën e premte që kaloi, pas takimit me oficerin e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në ambientet e burgut ‘302’ në Tiranë, i deklaruam atij se Izet Haxhiaj do të vazhdojë rregullisht deponimet e tij, si më parë, pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke filluar nga dita e sotme dhe ditët në vijim”, shkruan në mbyllje avokati.

Ish-truproja e Sali Berishës, është dënuar me 25 vite burg, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Haxhia nuk e ka pranuar kurrë një akuzë të tillë, madje ka hedhur akuza të ashpra edhe në drejtim të ish-shefit të tij, liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha për rolin që sipas tij ka luajtur në ekzekutimin e Azemit.

Azem Hajdari u ekzekutua me armë zjarri më 12 shtator të vitit 1998, fare pranë selisë së Partisë Demokratike. /a.y/noa.al