Transmetuar më 21-10-2019, 10:32

Deputeti Lefter Maliqi është shprehur se këtë javë nuk do të ketë Parlament dhe mbledhje komisionesh. Sipas tij, kjo është java e zezë për kryeministrin Edi Rama, pasi Evropa i mbylli dyert.

Përmes një postimi në “Facebook” ai shkruan se Rama nxiu vendin me korrupsion, drogë, varfëri, papunësi, shpopullim, shantazhe e kërcënime, deputeti i kërkon të dorëhiqet urgjent dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Sapo më njoftuan se kjo javë do jetë java e gjelbër dhe s’do ketë as parlament, as mbledhje komisionesh. Kjo javë është Java e Zezë për piktorin dështak, pasi Evropa i mbylli dyert, pasi e nxiu vendin me korrupsion, drogë, varfëri, papunësi, shpopullim, zgjedhje moniste, shantazhime e kërcënime, gazetarë, artistë, prokurorë, gjyqtarë, opozitarë, qytetarë, studentë, burgosje për të varfrit e kundërshtarët dhe liri për boset e krimit, kapje institucionesh, shkelje të të drejtave të njeriut, abuzime me detyrën, emërime nepotike, mbushi parlamentin me deputetë me të shkuar kriminale, vendosi kryebashkiakë të dënuar në Evropë, e la vendin pa Gjykatë të Lartë e Kushtetuese, me prokuror të përgjithshëm të komanduar, zvarriti dosjet e përgjimeve me deputetët e ministrat e tij në shitblerje votash, etj., etj.”

Në fund ai shkruan që “Rama urgjent të dorëhiqet, vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Nëse kjo nuk ndodh, populli le të marrë në dorë fatet e vendit me çdo mjet demokratik”./b.l/noa.al/