Transmetuar më 21-10-2019, 11:01

Shtyhet seanca gjyqësore për Marjana Çmetën, e cila akuzohet për helmimin e vjehrrës së saj. Shkak është bërë mungesa e Prokurorit Besnik Muçi, pasi ky i fundit u emërua nga Presidenti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata nuk është njoftuar ende par prokurorin zëvendësues. Ndërkohë edhe avokatët mbrojtës kanë kërkuar kohë pasi kanë nisur disa kërkesa, por ende nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.

E pranishme në seancën e sotme ishte Marjana Çmeta, si edhe ish bashkëshorti i saj, Oltjon Lami në cilësinë e trashëgimtarit të viktimës.

Marjana Çmeta akuzohet për vrasje për shkak të marredhënieve familjare. Seanca e radhës, ku pritet të bëhet mbrojtja dhe të jepet vendimi, do të mbahet me 4 nëntor ora 9:00.

Prokuroria ka kërkuar 35 vite burg pasi ligji nuk lejon që gratë të dënohen me burgim të përjetshëm.

Vrasja ka ndodhur në datën 30 prill të 2017-ës. Në atë kohë, Çmeta ishte tetë muajshe shtatzënë dhe mendonte si ta mbyste vjehrrën. Marrëdhënie jo e mirë që kishte me Lirien aso kohe 47-vjeçe që mendonte se ishte pikërisht ajo shkaktarja që martesa e saj nuk po shkonte mirë.

Pas vrasjes ajo është rrëfyer te hoxha, ku ka zbuluar se çfarë ndodhi atë ditë, ndërsa lutej që ajo të vdiste dhe të mos merrej vesh e vërteta. Gjithashtu, në këto biseda, e reja ka treguar se si e joshi vjehrrën ta pinte lëngun me fostoksinë.

Krimi i kryer nga Marjana, u zbulua falë këmbënguljes së Oltit, ish-bashkëshortit të saj, i cili zbuloi videon që kishte regjistruar hoxha, tek i cili nusja shtatzënë rrëfeu me detaje se si e helmoi nënën e tij./b.l/noa.al/