Transmetuar më 21-10-2019, 11:43

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke folur në aktivitetin e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë Kriminale dhe Patrullës së Përgjithshme, ministri Lleshaj tha se kjo detyrë nuk do t’i bëjë ata të pasur, por puna e tyre shpërblehet me një tjetër monedhë, atë të mirënjohjes. Ai tha se Policia e Shtetit duhet të rritet në cilësi dhe sasi.

“Për të përballuar me efikasitet misionin, policia shqiptare duhet të rritet në sasi dhe cilësi. Duhet të rritet dhe modernizohet. Programi i qeverisë parashikon progres në të dy këto vlerësime. Të dashur studentë, ju jeni këtu për të siguruar të mirën publike, që është pikërisht siguria. Çmimi i saj është shumë i rëndësishëm.

Të punosh në radhët e strukturave të sigurisë publike, përveç profesionalizmit, duhet dhe trimëri, kurajë, nder e moral i lartë. Kjo detyrë nuk mund t’iu bëjë të pasur, por puna juaj shpërblehet me një tjetër monedhë, me atë të mirënjohjes”, deklaroi Lleshaj.

Nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit pati një shqetësim se mos aktiviteti mund të përdorej për të marrë nën kontroll godinën nga policia, por nuk ndodhi asgjë dhe ceremonia u zhvillua pa asnjë incident./b.l/noa.al/