Transmetuar më 21-10-2019, 13:58

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari ka reagur lidhur me rastin e Alvinit të vogël, djalit 6 vjeçar shqiptar të mbetur në kampin e ISIS.

Përmes një postimi në Twtter, Hajdari shprehet se i ka bërë kërkesë Ministrit në Detyrë Gent Cakaj për një zgjidhje të menjëhershme, pasi siç e quan ajo kjo që po ndodh është e turpshme dhe rasti nuk mund të quhet aspak i izoluar.

“Sot i dërgova kërkesë për informacion Ministrit në Detyrë z. Cakaj për rastin e Alvinit. Ai nuk është një rast i izoluar. Duhet një zgjidhje e menjëhershme që të mbrojmë qytetarët tanë kudo që janë dhe sidomos të miturit se është vërtet e turpshme kjo që po ndodh”, shkruan Rudina Hajdari.

Rasti i Alvin Berishës është një nga historitë e trishta dhe më të komentuara të momentit në Shqipëri, sidomos pasi reportazhi për të u bë publik në emisionin investigativ "Le Iene" në Itali.

Djaloshi është rrëmbyer nga e ëma pesë vite më parë, për t’u larguar drejt kampeve siriane e për t’u bashkuar me Isis.

Ka qenë i ati i tij, Afrim Berisha i cili përmes emisionit "Le Iene" ka gjetur të birin në Siri, por fatkeqësia qëndron në faktin se ai nuk mundet dot të bashkohet me të birin 11-vjeçar, për sa kohë ky i fundit nuk disponon dokumenta italiane.

Vetëm një delegacion zyrtar shqiptar mund ta nxjerrë Alvinin e vogël nga kampi sirian dhe ta kthejë atë pranë të atit në Itali./b.l/noa.al/