Transmetuar më 21-10-2019, 17:04

Kryeministri Edi Rama zgjodhi një tjetër lider europian për t’iu përgjigjur akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili e interpretoi refuzimin për hapjen e negociatave me BE si dështim të qeverisë.

“Mbledhja e mbrëmshme do të mbahet mend si gabim historik. Shqipëria meriton hapjen e negociatave”, citon Rama kryeministrin italian Giuseppe Conte, ndërsa në anën tjetër fjalët e Bashës.

Më herët Rama zgjodhi Presidentin e Komisionit Europian Donald Tusk për t’iu përgjigjur kreut të PD për çështjen e negociatave.

“Mosmarrja e një vendimi të merituar për Shqipërinë për çeljen e negociatave është rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, por rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok për të bërë detyrat e shtëpisë që janë të qarta”.

Kryeministri Edi Rama foli më herët pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, ku nënvizoi se do të intensifikohen takimet dhe bisedat me Presidentin e Francës dhe udhëheqës të tjerë të vendeve skeptike, për t’i bindur lidhur me reformat dhe faktin se Shqipëria e meritonte çeljen e negociatave.

– “Kemi rënë të gjithë dakord për faktin se kjo nuk ndryshon asnjë gjë në trajektoren strategjike të vendit, të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë”, theksoi Rama.

“Në ditët në vijim ka një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”, theksoi Kryeministri Rama.

“Nga ana tjetër, pa diskutim që në aspektin praktik ne jemi të qartë që duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, sepse edhe nëse do të kishim marrë një ‘Po’ të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë ‘Po’. Pra, ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë të miratojë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si pjesë e ligjit zgjedhor. Po ashtu të presim, se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, që janë të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë dhe BE-në”, – theksoi Rama, ndër të tjera.

I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqje, Rama tha se “nuk ka asnjë gjë të re, pasi ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin”. “Nuk ia kanë dalë, sepse ne ia kemi arritur të kapërcejmë pengesën e ngritur artificialisht në 6 muajt e parë të vitit duke marrë mbështetjen e fuqishme të Kancelares Merkel dhe të Gjermanisë”, – tha Rama./ NOA.al