Transmetuar më 22-10-2019, 12:01

“Në kohë krize, në kohë tërmetesh, në kohë negociatash, në çdo kohë, Edi Rama nuk e ndal vjedhjen e Shqipërisë”.

Kështu tha zyrtari demokrat Dorian Teliti, i cili denoncoi se javën e shkuar në Bruksel, Bashkimi Europian diskutonte për hapjen e negociatave, kurse në Tiranë Edi Rama i dha me koncesion krimit dhe oligarkëve dy pasuri të mëdha strategjike të Shqipërisë: portin e jahteve në Kepin e Rodonit dhe portin e Sarandës.

Sipas tij, të dyja këto koncesione u dhanë me tendera falseo, ku pati vetëm një ofertë, nga personat me të cilët Rama kishte bërë pazaret që më parë.

“Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës”, u shpreh Teliti.

Ai shtoi më tej, se koncesioni i Portit të Sarandës i është dhënë për 30 vjet dyshes Kastrati-Dulaku dhe se Kastrati është oligarku më i ngushtë i Edi Ramës, që ka marrë koncesion 400 milionë euro të Rrugës së Kombit, furnizon ekskluzivisht prej 6 vjetësh me karburant qeverinë dhe ka përfituar leje ndërtimi në zonat e gjëlbra të Tiranës.

Në këtë linjë tha se porti i Sarandës i ishte dhënë më qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncesionin Dulaku-Kastrati.

“Vendimet për të dhënë me koncesion dy pika të rëndësishme të pasurisë dhe sigurisë kombëtare tek krimi dhe oligarkët e Edi Ramës janë pazare të paracaktuara. Për to nuk pati garë reale, kompanitë e huaja u përjashtuan de facto, koha e plotësimit të dokumentacionit ishte shumë e shkurtër, duke eliminuar konkurrencën dhe duke i shndërruar vendimet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në vendime korruptive dhe klienteliste”, deklaroi Teliti.

Ai tha në mbyllje se kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian. /a.y/noa.al