Transmetuar më 22-10-2019, 12:36

Kryedemokrati Lulzim Basha vijon replikat me Kryeministrin Edi Rama, i cili citon liderë të Bashkimit Europian përballë kryeopozitarit, lidhur me vendimin për të mos çelur negociatat me Shqipërinë.

“Me gjithë lojërat e Ramës për tu fshehur pas propagandës, të gjithë e shohin me sy të vërtetën. Ai dështoi të na afrojë me Europën, siç dështoi të përmirësojë ekonominë dhe të luftojë korrupsionin”, shkruan Basha.

Ai thotë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, shqiptarët meritojnë më të mirën, por se për fat të keq ka një njeri që e pengon këtë rrugë.

“Europa e refuzoi, tani është koha ta refuzojnë shqiptarët”, thotë kreu i PD.

Basha publikon qëndrimet e kancelares gjermane Angela Merkel, Presidentit francez, Emmanuel Macron, Kryeministrit të Holandës, Mark Rutte dhe Tytti Tuppurainen, ministre e Çështjeve Europiane.

Merkel: “Maqedonia e Veriut ka bërë shumë për sa i përket hapjes së negociatave. Ndryshimi i emrit ka qenë një progres i madh, edhe Shqipëria ka bërë progres, por nuk na ka bindur që të marrim vendim unanim. Ka pasur ndasi sa i përket një vendimi të përbashkët”.

Macron: “Dje dëgjova disa fjalë se ne pothuajse arritëm uninamitet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. nuk është e vërtetë. Padyshim, aty kishte një shumicë te gjerë që Maqedonisë së Veriut ti hapen negociatat, por shumica e shteteve ishin kundër Shqipërisë. Nisja e bisedimeve të anëtarësimit vetëm me një vend do të ishte një gabim”.

Rutte: “Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar- diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten se sa ka shkuar progresi në Shqipëri dhe, pikërisht këtu, kemi më shumë shqetësime.”

Tuppurainen: “Përdorëm të gjitha mundësitë për t’i ofruar diçka Ballkanit Perëndimor, përfshi dhe ndarjen e dy vendeve, sepse shumica ishin të parimit se vendet duhen vlerësuar në bazë të meritës”. /a.y/noa.al