Transmetuar më 22-10-2019, 12:41

Zv. Ndihmës sekretari i Shtetit në SHBA, Jorgan K. Andrews i shoqëruar nga e ngarkuara me punë e Amerikës në Shqipëri, Leyla Moses- Ones dhe dy ekspertë të misionit të OPDAT, Julie Craven dhe Michelle Lakomy kanë zhvilluar një takim me kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi në prokurorinë e Përgjithshme.

Gent Ibrahimi i ka njohur zyrtarët amerikanë me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri. "Në 10 muaj KLP ka ngritur infrastrukturën ligjore solide për ngritjen e SPAK. Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm dhe ngritjen e SPAK.

Këshilli po shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK-ut me 8 prokurorë tashmë të vetuar dhe 2 prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK të cilët kanë kaluar vetingun  me vendim të formës së prerë. Mbështetja e ambasadës amerikane dhe misionit të asistencës së OPDAT gjatë këtyre proceseve, garant për profesionalizmin dhe integritetin e tyre" tha ai.

Jorgan K. Andrews është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikeve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit ku mbikqyr programet e kësaj byroje në Europë, Azi, duke përfshire edhe Afganistanin dhe Pakistanin.