Transmetuar më 22-10-2019, 14:47

Deputetët e opozitës së re kanë kërkuar interpelancë urgjente për 11-vjeçarin shqiptar në Siri.

Në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi grupi prej 7 deputetësh kërkon mbajtjen e interpelancës me Ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj.

Deputetët kërkojnë të dinë se çfarë masash po merresh nga shteti shqiptar për rastin e Alvin Berishës që ndodhet në kampet siriane.

Rasti i Alvin Berishës është një nga historitë e trishta dhe më të komentuara të momentit në Shqipëri, sidomos pasi reportazhi për të u bë publik në emisionin investigativ "Le Iene" në Itali.

Djaloshi është rrëmbyer nga e ëma pesë vite më parë, për t’u larguar drejt kampeve siriane e për t’u bashkuar me Isis.

Ka qenë i ati i tij, Afrim Berisha i cili përmes emisionit "Le Iene" ka gjetur të birin në Siri, por fatkeqësia qëndron në faktin se ai nuk mundet dot të bashkohet me të birin 11-vjeçar, për sa kohë ky i fundit nuk disponon dokumenta italiane.

Vetëm një delegacion zyrtar shqiptar mund ta nxjerrë Alvinin e vogël nga kampi sirian dhe ta kthejë atë pranë të atit në Itali./b.l/noa.al/