Transmetuar më 22-10-2019, 15:57

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se hipoteka e Shkodrës, por edhe ajo e Vlorës kanë qenë "dy vrimat e zeza" të sistemit.

Rama  thotë se me unifikimin e Hipotekës me ALUIZN-in, gjërat po ndryshojnë pak nga pak.

Sipas tij në të  kaluarën janë bërë masakra edhe mw të mëdha, por edhe më pas nuk është se kanë patur përmirësime të ndjeshme.

Deklaratat Rama i bëri gjatë takimit të përjavshëm të Kryeministrit dhe koordinatorëve të platformës së bashkëqeverisjes "Shqipëriaqëduam.al", ku edhe iu përgjigj shqetësimit të një qytetari.

Pashk Nika:

Sa i përket adresimit tek platforma, në fillim nuk kisha besim. Rasti në fjalë është familjar i imi. Ky dhe shumë emigrantë e mallkonin këtë vend me shërbimet publike që gjenin në Shkodër. I them më bëj një prokurë që ta ndjekë vetë. Kohë pas kohe kërkoja te hipoteka në Shkodër letër nga ALUIZNI, nuk gjendej më as praktika, fare.  Për fat, mandati i postës na shpëton. Kishim paguar miliona për këtë pronë që në 2013-n. Për fat të keq, me mandatin e postës  s’u bë fjalë t’i vije në lëvizje".

"Sot është përmirësuar pak me këtë mekanizmin e platformës, por në Shkodër është gjendja katastrofike. Një person më thotë drejtoju platformës. Nuk i dhashë shumë rëndësi, na kishte humbur besimi. I shkruaj platformës. Vjen përgjigja, e lexova dhe më dha një lloji vetëkënaqësie. Si përfundim u zgjidh rasti, iu imponua hipotekës, edhe ALUIZNI-t, u  gjendën praktikat. Vetëm mandati i postës e shpëtoi pronën, ndoshta pa u masakruar dhe shpëtoi 5-fish më shumë sa kisha paguar me urdhër pagesë të shtetit".

"Kam dhe rastin tim. Që në 2015-n kërkoj zgjidhje të banesës sime. Bëra kërkesën tjetër, mori zgjidhje, më ka ardhur praktika. Për asnjë tjetër s’do kisha ardhur këtu, por ky mekanizëm është ai që i ndihmon qytetarët. Aq hall kanë qytetarët e Shkodrës, sa nuk kanë nga t’ia mbajnë. E gjithë e keqja e shoqërisë vjen nga shërbimet publike. Prona është jeta, pa pronë s’ka atdhe. Kemi dhe familje të shpërngulura nga hidrocentralet, riskun e kredisë të aprovuar në atë kohë e kanë marrë njerëz në majë të malit, jo të përmbyturit".

"Vërtet ka filluar të lëvizë diçka në Shkodër, por, nëse vonohet ky dokument, pas pak ditësh e harrojnë ata nëpunësit e administratës. Shkodrën ta shkundësh njëherë, zyrat e administratës as kanë vënë qytetarë të Shkodrës. Bëji dhe zyrat e shërbimeve publike si sallat operative të policisë, s’ke ku të denoncosh rastin. Kjo është ndër punët më të mira që keni bërë zoti kryeministër. Të gjitha mekanizmat e qeverisë si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme e ndihmojnë platformën. Mua më ka dhënë tre herë efektin kjo. Kjo është kryesorja, që shoqëria të qetësohet. Ka djem e vajza, burra e gra shumë të ndershëm që ia duan të mirën këtij vendi se kanë derdhur djersë.  Nëse ju vini në efiçensë shërbimet publike keni kryer ‘çlirimin’  e plotë të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama:

"Të mirëkuptoj dhe kjo është sfida e madhe, sepse gjitha të tjerat, jo se janë më të lehta, por janë më të qarta. Ndërkohë që ndërtimi i një administrate serioze nuk është fjalë goje. Nuk është e vërtetë se janë të gjithë ashtu. Unë mendoj se shumica nuk janë ashtu. Të gjithë këto vajza, gra, djem e burra këtu punojnë pa orar për t’i shërbyer qytetarëve."

" Po të krahasojmë shërbimet sot me çka ishin më parë, patjetër janë përmirësuar ndjeshëm, por pa diskutim ka jashtëzakonisht shumë për të bërë. Ne kemi bërë maksimumin deri tani për të futur ekselentët. Janë disa qindra që janë futur në mënyrë të drejtpërdrejtë, do vazhdojmë, por nuk është një proces i lehtë dhe nuk mbyllet shpejt, kërkon kohë. Vendet që ne i shikojmë me admirim dhe duam t’i afrohemi e kanë bërë shtetin para qindra vjetësh".

"Nga ana tjetër është e vërtetë që hipoteka e Shkodrës, sëbashku me atë të Vlorës janë dy vrimat e zeza të sistemit. Në të kaluarën janë bërë masakra të mëdha, por edhe më pas nuk është se kanë patur përmirësime të ndjeshme."

"Tani me unifikimin e hipotekës me ALUIZN-it, gjërat po ndryshojnë pak nga pak, por deri në fund të ditës platforma është ajo që na bashkon dhe na ndihmon reciprokisht, sepse ju zgjidhni problemin, ne identifikojmë njerëzit që duhen larguar. Janë mbi 800 raste, sot që  flasim, njerëzish të ndëshkuar për ekzaktësisht ato që thamë".

"Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë së bashku është që kjo është një përpjekje e përbashkët. Nuk mund të bëhet thjeshtë nga lart, apo thjeshtë nga poshtë. Duhen bashkuar të dyja pjesët, qeveria që e ka gjithë vullnetin për ta bërë këtë punë dhe qytetari që do të gjejë zgjidhje, në mënyrë që gjithë niveli i ndërmjetëm të jetë nën presion të vazhdueshëm dhe të bëjë sa më mirë detyrën".