Transmetuar më 22-10-2019, 16:40

Kombëtarja kuqezi do të luajë më 14 nëntor me kampionët e Botës, Francën, në stadiumin që pritet të inaugurohet me këtë rast, në "Arena Kombëtare".

Edhe pse UEFA nuk e ka bërë ende zyrtar emrin e stadiumit, Presidenti Armand Duka, tha se "tashmë kemi ndarë dhe ftesat, e ne shqiptarët kur ndajmë ftesat do ta bëjmë dasmën se s’bën".

Nga Kukësi, ku ndoqi edhe punimet për stadiumin që po ndërtohet "Zeqir Ymeri", Armand Duka u shpreh se i sigurt se përballë Francës, ndeshja do të luhet edhe ndeshja inauguruese e stadiumit që do të ketë një kapacitet rreth 22 mijë vende të ulura.

"Nga Kukësi të thuash se a do të jetë gati, në fakt "Arena Kombëtare" do të jetë gati. Ka shumë punë për të bërë por, do të arrijmë patjetër që ta kemi ndeshjen në nëntor. Tashmë kemi ndarë dhe ftesat, e ne shqiptarët kur ndajmë ftesat do ta bëjmë dasmën se s’bën", theksoi Duka.

Para se të luhet ndeshja me Francës, pritet të zyrtarizohet edhe rinovimi i kontratës me Edy Reja.

Loja dhe rezultatet e kuqezinjve, nën drejtimin e italianit, kanë qenë bindëse, për t’i ofruar një kontratë të re teknikut 74 vjeçar, edhe për kualifikueset e Kupës së Botës, "Katar 2022".

Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, por se kur do ta bëjmë kontratën do ta diskutojmë bashkë me Rejën.

"Loja e kombëtares? Dy paraqitjet e fundit, ose tre bashkë me Islandën ishin të mira. Ekipi mund të themi se është rikthyer, ka rikthyer në radhë të parë besimin te vetja, por në gjithë opinionin sportiv në Shqipëri dhe më gjerë ka kthyer një klimë pozitive që besoj se do ta ndihmojë akoma më shumë ekipin, do t’i japë akoma dhe më shumë energji për këto dy ndeshjet e fundit dhe për vitin e ardhshëm për të filluar Ligën e Kombeve dhe kualifikueseve të Botërorit", theksoi Duka.

Ai beson me lojtarët që ka aktualisht, se do të kemi një ekip akoma dhe më të mirë se në Europianin 2016, çka do të thotë se ka shpresa për një kualifikim historik edhe në Botëror.  /NOA.al