Transmetuar më 22-10-2019, 19:11

Vladimir dhe Xhoni Spahiu, babë e bir, si edhe Petrit Qypi do të qëndrojnë në Burg. Gjykata e Beratit ka dhënë sot këtë vendim për tre personat, protagonistë kryesorë që qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lavazhi, në pronësi të familjes Spahiu.

Prokurori Dritan Gripshi i ka kërkuar gjykatës vlerësimin "të ligjshëm" të arrestimit të tyre, dhe për rrjedhojë lënien pas hekurave.

Pasi ka dëgjuar edhe avokatët e palëve, gjyqtarja Adelajda Gjuzi e ka vlerësuar "të ligjshëm" arrestimin e tyre dhe ka vendosur për të tre autorët Vladimir Spahiu, Xhoni Spahiu dhe Petrit Qypi, masën e sigurisë "arrest me burg". Ata akuzohen për veprat penale: "Vrasje me dashje,e mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtje pa leje".

Pak ditë më parë, Vladimir Spahiu, Xhoni Spahiu dhe Petrit Qypi, kanë shkuar në një lavazho në lagjen "30 Vjetori" dhe nga dritarja e makinës Vladimir Spahiu ka zbrazur një karikator të tërë pistolete në drejtim të lavazhos ku ndodheshin tre punonjësit, Ergit Kocaqi Krenar Dikollari dhe Erjon Gërmau si dhe një qytetar që kishte shkuar për të larë automjetin.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur, pasi pretendohet se ata që e kanë marrë lavazhin me qera nuk kanë paguar detyrimet mujore. /k.k/noa.al/