Transmetuar më 22-10-2019, 20:33

Kryeministri Edi Rama, ka bërë një takim me gratë që janë këshilltare në këshillat bashkiake.

Kryeministri Rama është shprehur se gratë janë më pak të korruptueshme se burrat:

“Kemi 50% të këshillave bashkiak që janë gra dhe vajza, 60% e administratës publike janë gra dhe vajza dhe kjo do të thotë që minimalisht kemi 60% e administratës janë më pak të korruptueshëm, pasi gratë dhe vajzat korruptohen më pak se burrat”, theksoi Rama.

Muaji tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, ndaj edhe me këtë rast pati një takim me gratë këshilltare në këshillat bashkiakë të vendit, ku edhe kryeministri vlerësoi se ato janë më efikase se meshkujt në administratë.

Ndërkaq, “Edhe një” është nisma e re e Partisë Socialiste për të përfshirë gratë në drejtimin e bazës socialiste.

I rrethuar nga gratë dhe vajzat, pasditen e sotme kryeministri Edi Rama i ka njohur atyre atributet e drejtueseve larg korrupsionit.

“Gratë dhe vajzat nuk duhen përdorur si dekor, sa për të kaluar radhën dhe për të thënë që edhe ne e kemi kryer këtë proces dhe kemi një grua që bashkëkryeson organizatën. Situata është alarmante sepse jo vetëm që kemi struktura ku nuk ka asnjë grua, por kemi burra që thonë se nuk ka gra këtu ku jemi ne. Se ku shkojnë këta në darkë, se me kë i bëjnë fëmijët këta dhe se kush kujdeset për ta, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe”, deklaroi Rama, përmes batutave. /NOA.al