Transmetuar më 23-10-2019, 10:09
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Shkëmbimi” ka zbuluar drogë dhe armë, duke vënë në pranga dy persona dhe duke proceduar në gjendje të lirë një tjetër.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative, mbrëmjen e së martës u bë arrestimi i A. L., 54 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”. Arrestimi u bë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Gjithashtu u vu në pranga E. K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi D. K., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, regjistruar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë Kufitare pas njoftimit të dhënë nga Sektori i Narkotikëve në Tiranë është bërë ndalimi i automjetit tip autoveturë i markës Mercedes Benz, me drejtues shtetasin A. L.

Pas kontrollit të këtij automjeti në vijën e dytë, në pjesën e dyshemesë poshtë sediljes së shoferit është konstatuar një hapje e strukturës metalike, në brendësi të së cilës janë gjetur 19 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me peshë 13 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe dy celularë.

Po në kuadër të këtij procedimi penal, në rrugën “Shefqet Kuka”, Tiranë, është ushtuar kontroll në banesat e shtetasve E. K., dhe D. K. Gjatë kontrollit në ambientet pranë banesës së shtetasit E. K., është gjetur një armë zjarri kallashnikov. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. K., në ambientet e banesës së tij u gjetën dy armë gjahu, për të cilat nuk dispononte leje.

Armët e zjarrit dhe armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës. /a.y/noa.al