Transmetuar më 23-10-2019, 13:35

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, thekson se grupet parlamentare të Parlamentit Europian kanë depozituar sot mocionet e tyre mbi draft-rezolutën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe për  Maqedoninë e Veriut. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, si thekson se këto grupe kanë shprehur zhgënjim të thellë për mosvendimmarrjen pozitive nga ana e Këshillit të Europës më 18 tetor.

“Grupet Parlamentare të Parlamentit Europian depozituan mocionet e tyre mbi draft-rezolutën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë🇦🇱 dhe Maqedonisë së Veriut🇲🇰 me BE🇪🇺. Qartazi në mocionet e depozituara theksohet zhgënjimi i grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian mbi mungesën e vendimit të Këshillit Europian që do të mundësonte hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan Balla.

Sipas Ballës, “Në mocionin e Grupit të Partive Popullore Europiane (inicijuar nga eurodeputetët Michael Gahler, Željana Zovko, David McAllister, Sandra Kalniete, Kinga Gál, Andor Deli, László Trócsányi) dhe Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (inicijuar nga deputetët Kati Piri, Tonino Picula, Isabel Santos, Andreas Schieder dhe Tanja Fajon) evidentohen pasojat negative në besueshmërinë e politikës së zgjerimit, e cila minon në mënyrë të drejtpërdrejtë reformat e thella të ndërmarra nga dy vendet kandidate. Në mocionet e depozituara nga grupet më të rëndësishme vërehet me shqetësim se vendimi i Këshillit i dërgon një sinjal të rrezikshëm vendeve të rajonit dhe lë hapësira për influenca nga aktorë të tjerë”.

Më tej ai shprehet se grupet parlamentare i kanë kërkuar Këshillit Europian të marrë përgjegjësitë e tij për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe në fund të veprojë në përputhje me angazhimet e veta.

“Grupet më të mëdha parlamentare i kërkojnë Këshillit Europian “të marrë përgjegjësinë e tij dhe më në fund të veprojë në përputhje me angazhimet e veta; dënon çdo vendim që dobëson angazhimet e BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”. Në mocionet e depozituara nga grupet e rëndësishme politike në Parlamentin Europian vihet në dukje qartazi fakti se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli vitin e kaluar.

Edhe Grupi i tretë më i madh në PE “Reneë Europe” ku bën pjesë partia e Presidentit Macron apo e Kryeministrit hollandez Rutte vleresojnë pozitivisht hapat dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedoni e Veriut”, shton Balla.

Ai thekson se, “Tre grupet e tjera “të majtët e bashkuar”, “të gjelbërit” dhe “konservatorët”, të cilët janë opozita (që nuk kanë votuar Komisionin Europian) janë edhe më të ashpër në reagimin e tyre ndaj gabimit historik të Këshillit Europian, siç e quajnë ato mos-fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë strategjike për BE të Ballkanit Perëndimor. Vetëm grupi i “Identitetit dhe Demokracisë”, i themeluar nga Le Pen r ku aktualisht bën pjesë edhe AFD gjermane ka depozituar një mocion, (që nuk ka asnjë shans të miratohet) ka përshëndetur mos-vendimin e Këshillit Europian.

Nëse e lexoni mocionin e tyre, çuditërisht lexon paragrafë që ngjasojnë me qëndrimin në Tiranë të disa përfaqësuesve të opozitës rrugore, kryesisht të Partisë Demokratike. Keqardhje për këtë parti, e cila duhet të rishikojë qëndrimin për të qenë në linjë me simotrat e saj europiane në PPE, e cila ka shprehur qartë qëndrimin e saj pro rrugëtimit Europian të Shqipërisë në mocionin për rezolutën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE, e depozituar pranë Parlamentit Europian”./b.l/noa.al/