Nga Skënder Kapiti: Arsyeja pse nuk i “pëlqen” Tiranës fitorja e VV së Albin Kurtit, e as ajo e Vjosa Osmanit?
Transmetuar më 23-10-2019, 16:41

OPINION nga Skënder Kapiti

“Mospëlqimi” i fitores kryesisht së VETËVENDOSJES dhe Albin Kurtit, por as edhe e Vjosa Osmanit nga politika e Tiranës , arsyeja se përse Tiranës nuk i “pëlqen” fitorja e tyre është po ajo e “elitës” politike kosovare e cila u ndëshkua me meritë me 6 Tetor 2019. Cila është kjo arsye?

Politika e Tiranës ka frikë nga një lëvizje politike antiestablishment, lëvizje e cila do ta ndëshkonte të gjithë elitën politike thellësisht dështake të Tiranës në të gjitha përmasat dhe aspektet shteformuese, si një elitë politike keqshtetfuksionale, jodemokratike, politikë e interesave personale kundër interesave publike, kundër asaj të interesit të përgjithshëm dhe të atij kombëtar; një politikë shterpë, kundraproduktive dhe kundraintegruese për në BE.

Nga një keqpolitikë e tillë e Tiranës ishte infektuar rëndë edhe politika e Shtetit të Ri të Kosovës, nga po ato “sëmundje”që është e sëmurë rëndë politika e Tiranës, si: krimi, korrupsioni, hajdutëria, mosinteresi kombëtar, tradhtia, gënjeshtrat, mashtrimet, matrapazllëqet, spekulimet e intrigat dhe nga dështimet demokratike, juridike, ekonomike, zhvillimore dhe nga mosintegrimi në BE.

Rezultati i dështimeve të të dy elitave politike që e dominuan Kosovën dhe të asaj që akoma e sundon Shqipërinë ishte dhe vazhdon të jetë eksodi, braktisja dhe boshatisja e Shqipërisë dhe e Kosovës nga shqiptarët , sidomos nga rinia. Kosova me 6 Tetor 2019, foli dhe e ndëshkoi elitën e vjetër politike.

Dhe Tirana ka frikë se mos shembullin e Kosovës tani do ta aplikojë votuesi shqiptar në Shqipëri, ndëshkimin e elitës politike që e ka keq-qeverisur dhe sunduar shtetin , shoqërinë dhe demokracinë në Shqipëri që prej 30 vitesh. Kjo është arsyeja se përse politikës së Tiranës nuk i pëlqen fitorja jo vetëm e Albinit dhe e VETËVENDOSJES, por as ajo Vjosa Osmanit në Kosovë.

Nuk i pëlqen fitorja e VETËVENDOSJES së Albin Kurtit elitës politike të Tiranës, pasi VËTËVENDOSJA , fitorja e saj është fitore më se e merituar dhe e duhur e një force politike të re në qeverisje, pra që u votua nga populli dhe që i besohet pushteti, pasi VV nuk ka qeverisur asnjëhërë, dhe nuk ka qene as pjesë e kualicioneve qeverisëse të cilat janë konsumuar nga korrupsioni, tradhëtia, mashtrimet, krimi dhe papërgjegjshmëria. Por elitës politike të Tiranë nuk i pëlqen as fitorja e LDK-së, sepse ajo është kryesisht si fitore për meritë të Vjosa Osmanit. Pse?

Kjo për faktin se pavarësisht se LDK ka qenë në pushtet me PDK-në, fakti që Vjosa Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj qeverisjeje të atij kualicioni në pushtet, ky fakt si dhe tjetri që Vjosa ka qenë zëri ndryshe kundër elitës së lidershipit të LDK-së në qëndrimet e saj për probleme madhore si të brendshme të LDK-së, por sidomos për qëndrimet konsekuente dhe parimore të saj për çështje të rëndësisë kombëtare si kundërshtimi i fortë i Vjosës kundër ndarjes së Kosovës; dhe fakti që LDK zgjodhi pikërisht Vjosën si kandidate për kryeministre duke mos qenë kryetare e LDK -së.

Kjo përbën “herezi” për të gjitha partitë politike të Tiranës te të cilat sundon absolutisht diktati i Njëshit, autokracia dhe pushteti i padiskutueshëm i kryetarit,i cili e trajton partinë si pronë të tij. Te partitë politike shqiptare në Shqipëri sundon parimi leninist: “kur themi partia kuptojmë kryetari, dhe kur themi kryetari kuptojmë partia”. Partitë politike të Tiranës, asnjëra nuk e dëshiron fitoren e Albin Kurtit edhe për faktin se ai ka një program dhe një vizion të qartë kombëtar, integrimin e madh brendashqiptar, gjithëkombëtar, kombi i pari dhe mbi të gjitha.

Kjo është në antitezë me politikën dhe me politikanët e Tiranës të cilët kanë treguar se të parin kanë interesin personal, pasuror e familjar mbi atë kombëtar, gjë të cilën e kanë vërejtur, konstatuar por edhe e kanë deklaruar madje edhe shumë e shume shtetarë, diplomatë e politikanë ndërkombëtare të shteteve perëndimore mike të shqiptarëve. Këto janë shkurtimisht si arsye se përse politikës së Tiranës nuk i pëlqen akoma as deri më sot fitorja e Albin Kurtit, VETËVENDOSJES , por as edhe e Vjosa Osmanit.

/NOA.al/

Loading...
Loading...