Transmetuar më 23-10-2019, 19:25

Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë pësoi rënie në muajin shtator, edhe pse moti me diell e temperatura të larta ishin mjaft favorizues për udhëtime dhe për të shijuar ngjyrat e vjeshtës. INSTAT raportoi sot se, në shtator, hyrjet e shtetasve të huaj në vend ishin 591 mijë e 414, krahasuar me shtator 2018, ky numër është ulur me 11,0 %. Kurse numri i shqiptarëve që udhëtuan jashtë vendit në shtator shënoi rritje me mbi 9%.

Gjatë nëntëmujorit, numri i vizitorëve rezulton të jetë 7.9 % më i lartë se i një viti më parë. Rënien e turistëve në shtator e krijuan vizitorët nga Kosova, të cilët ishin 37 % më pak se shtatorin e vitit të kaluar. Burimet nga agjencitë turistike të Kosovës pohuan se taksa në Rrugën e Kombit i ka dekurajuar lëvizjet për fundjava drejt Shqipërisë.

Më tej, ato shpjegojnë se turistët nga Kosova e konsiderojnë plazhin si një kurë për shëndetin. Ndërsa pas periudhës së plazhit vizitorët janë për qëllime të pastra argëtimi, por taksa në Rrugën e Kombit e ka kufizuar këtë lloj udhëtimi.

Turizmi në shtator ka marrë një kthesë të fortë negative edhe për vizitorët nga vende të tjera. INSTAT referon se numri i vizitorëve nga Polonia shënoi rënie me 19 % gjithashtu. Edhe për 9 -mujorin, numri i polakëve ra me 19 %, dhe i anglezëve gjithashtu me 19 %.

Agjencitë e udhëtimit në Shqipëri dhe hotelet në bregdet pohojnë së rënia vizitorëve nga Polonia dhe tendenca me rënie edhe në shtator për turistët në përgjithësi lidhet me faktin se Shqipëria po bëhet më pak konkurruese për ofertën turistike. Greqia dhe Turqia ndërkohë po ofrojnë gjithnjë e më shumë çmime më të lira.

Gjatë nëntë muajve të 2019, ndër vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 18,1 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 14,4 %.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit shtator 2019, ishin 1 milion e 277 mijë e 23 persona, duke shënuar ulje me 4,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, në shtator 2019, janë 562 mijë e 574, krahasuar me shtator 2018, ky numër është rritur 9,1 %.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë në shtator 2019, janë 714 mijë 449, krahasuar me shtator 2018, ky numër është ulur 12,9 %. /Monitor