Transmetuar më 23-10-2019, 23:26

Një celulë terroriste iraniane që do të kryente sulme në Shqipëri është zbuluar nga policia shqiptare.

Në një konferencë për mediat, drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu, tregoi emrat dhe rolet e terroristëve iranianë që do të organizonin sulmin në mars të 2018-ës, gjatë festimeve të Sulltan Nevruzit pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë.

Këtë të mërkurë, në emisionin Opinion zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tregoi disa detaje.

Hetimet për celulën terroriste, sipas tij nisën në mars të 2018-ës nën drejtimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi dhe njësisë së anti-terrorit në Policinë e Shtetit.

Iranianët u ndaluan nga njësia e anti-terrorit, pas informacioneve të mbërritura nga shërbimet partnere. Në momentin e ndalimit ata ishin duke bërë foto, ndërsa u prezantuan si gazetarë që kishin ardhur në Shqipëri me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

“Deklarata sot nuk kishte të bënte me asnjë atentat, apo episod. Zbuloi një plan, një celulë. Para një viti ne ndaluam dy shtetas iranian, që duke u hequr si gazetarë por ky ishte mbulimi, ata ishin operativë dhe kishin plan të mblidhni informacion. Ndërhyrja në atë kohë bëri që plani të shtyhej, sot ne kemi zbuluar për publikun një plan dhe një celulë të ngarkuar për ekzekutimin e këtij plani. Ka dhe të tjerë që janë ekzekutorë. Personat që janë shoqëruar më parë janë të tjerë. Atëherë po flisnim për ushtarët. Sot po flasim për “trurin”. Këta do bënin sulme terroriste të kombinuara me armë zjarri dhe me shpërthim eksploziv kryesisht ndaj liderëve të muxhahedinëve. Ne zbuluam në mars informatorët dhe tani zbuluam mendjen”, tha zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.