Transmetuar më 26-10-2019, 10:58

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i projektuar si Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i është përgjigjur interesit të mediave në Tiranë, lidhur me atë që u diskutua mbrëmjen e së premtes në takimin me Kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se me Ramën u diskutuan shumë çështje, pasi synohen të ndërtohen më shumë ura bashkëpunime.

“Nuk duhet të kemi vetëm mbledhje qeverie por dhe zbatim të marrëveshjes”, u shpreh Kurti.

Lidhur me idenë e minishengenit ballkanik ai deklaroi se, “Pres që të shoh një tekst që të shoh saktësisht se çfarë nënkupton ai. Më ngjan më shumë si një ide, sesa një projekt”.

Pyetjes së gazetarëve nëse janë thyer akujt mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama, ai tha se “Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara, ne jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, duam që të punojmë që diferencat që kemi kurrsesi të mos rrezikojnë bashkëpunimin tonë”.

Deklarata e tij u bë teksa ndodhet në Tiranë, si i ftuar në samitin e paqes për Europën Juglindore. /a.y/noa.al

Rama jep detaje për takimin me Kurtin: Bashkëbisedim disa orësh, hapëm shumë tema