Transmetuar më 27-10-2019, 15:33

Trajneri i ri i Tiranës Julian Ahmataj mori një rezultat të pastër 3-0 ndaj Luftëtarit, ish-skuadra e tij, në takimin e parë të fazës së dytë për sezonin 2019-2020.

Torassa hapi llogaritë e ndeshjes në stadiumin "Gjirokastra", ndërsa Ngoo dhe Hasani vulosën fitoren e 5-të të kryeqytetasve, që ngjiten përkohësisht në vendin e parë me 17 pikë.

Me të njëjtën fitore e nisi fazën e dytë edhe Laçi, 3-0 Vllaznisë. Kurbinasit zhvilluan një takim spektakolar ndaj shkodranëve. Tre pikë të rëndësishme për të besuarit e Armando Cungut, që lënë përkohësisht zonën e ftohtë të tabelës së klasifikimit.

Nwabueze ishte heroi i takimit me një dopietë personale, teksa Lushkja vulosi takimin. Laçi shkëputet  7 pikë nga Luftëtari, i zonës së ftohte dhe ka po kaq pikë sa Skënderbeu, por korçarët kanë edhe një takim për të zhvilluar, pikërisht atë ndaj Flamurtarit nesër.

Spektakël dhe një barazim pa gola në Ballsh, aty ku Bylis vendas ndau pikët me Teutën. Kjo pikë i mban përkohësisht në krye të tabelës ballshiotët, me aq sa Tirana dhe Partizani, nga 17 pikë secila, por të kuqtë luajnë nesër me Kukësin.

Bie në sy situata e vështirë që po kalojnë luftëtari dhe Flamurtari, që kanë shanse edhe më të pakta mbijetese.

Presidenti i Luftëtarit ngriti shqetësimin se veç problemit financiar, edhe gjyqtarët po ndikojnë në mbijetesën e skuadrës së tij.

Bekim Halilaj mori postin e presidentit të klubit “Luftëtari” gjatë verës, por thotë se e gjeti me një mal me borxhe për të shlyer dhe shumë mbrapa për organizimin për kampionat.

Ai arriti të licencojë klubin gjirokastrit dhe të formojë skuadrën në kohë rekord, ku pas një nisjeje për t’u harruar, në javët në vijim Luftëtari ia ka dalë mes vuajtjesh të grumbullojë 6 pikë dhe të bëjë paraqitje dinjitoze.

Para ndeshjes me Tiranën, presidenti Halilaj shpjegoi arsyet që e shtynë të investojë te Luftëtari dhe nuk ngurroi të akuzojë edhe arbitrimin për gabime në kurriz të bluzinjve.

“Kam qenë donator edhe më përpara dhe vendosa që të mos e lë në rrugë skuadrën, pasi ia vlente të investoja dhe ta ndihmoja ekipin”, theksoi ai, ndërsa për të shpëtuar ekipin gjirokastrit nga falimentimi, Bekim Halilaj ka paguar rreth 500 mijë euro për t’u licencuar Luftëtarin para këtij kampionati.

– “Borxhi ka qenë edhe më i madh me thënë të drejtën, por ne kemi marrë përsipër ta mbajmë skuadrën në garë dhe po provojmë të bëjmë më të mirën. Kemi lojtarë të rinj, por gjithsesi jemi paraqitur mirë, ndonëse në disa raste na është ngrënë haku nga arbitrimi, gjë që e keni evidentuar edhe ju mediat” thekson presidenti i Luftëtarit.

Ai shprehet i ndërgjegjshëm se për shkak të vështirësve Luftëtari nuk ka pasur ecurinë e duhur, por e sheh si të pakuptimtë, që investimet shkojnë dëm edhe për një arsye tjetër. “Arbitrat nuk e kanë bërë si duhet punën e tyre dhe jam i bindur që për gabimet e tyre, na mungojnë rreth 4-5 pikë”.

Disa herë Luftëtari ka paralajmëruar bojkotin e kampionatit, ndërsa presidenti gjirokastrit shton se, “ka pasur edhe deklarata emocionale, por duhet thënë se më shumë ka qenë një sinjal për të thënë se duam drejtësi në gjykim”.

Me fillimin e fazës së parë Luftëtari pas humbjes me Tiranën mbetet ndodhet në zonën e ftohtë me 6 pikë, kurse Flamurtari mbyll klasifikimin me vetëm 2 pikë.

Kategoria Superiore/ Java e 10-të

Sot

Luftëtari- Tirana                0-3

Laçi- Vllaznia                       3-0

Bylis- Teuta                         0-0

Nesër

Partizani – Kukësi             18:00

Flamurtari- Skënderbeu 18:00

/NOA.al