Transmetuar më 28-10-2019, 20:41

Shkarkimet e shumta nga administrata shtetërore kanë krijuar një kosto mjaft të  rëndë për buxhetin e shtetit.

Si të mos mjaftonte kjo, shkarkimet apo emërimet pa asnjë kriter vazhdojnë të shoqërohen me një faturë të rëndë për një nga shtetet më të varfra në Europë.

Vetëm  për periudhën 2016-2019 barra financiare llogaritet 1mld e 146 mln lekë.

Peshën kryesore të borxhit e mbajnë Ministria e Shëndetësisë, Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Lidhur me fenomenin, ekziston edhe një dukuri po aq e shëmtuar, në rastet kur shkarkimet janë të drejta. Raportohet se punonjësit e shkarkuar qoftë padrejtësisht favorizohen nga gjykatat, përmes një ujdie, duke i ndarë me njerëzit e drejtësisë të ardhurat që presupozohet se do të marrin, veç aspektit moral që ata fitojnë në këtë rast.

Në tërë këtë histori, të humburit janë taksapaguesit e gjerë shqiptarë.

Në tërë këtë periudhë tranzicioni, shkarkimet nga administrata gjatë ndërrimit të pushteteve janë kthyer në një gangrenë për buxhetin e shtetit në Shqipëri, i cili është detyruar të bëjë pagesa të majme për pushimet nga puna, dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Punonjësit e larguar padrejtësisht kanë hedhur në gjyq shtetin duke fituar shpesh të drejtën për shpërblim.

Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në media ka dalë edhe shifra e detyrimeve mbi shkarkimet që arrin në 1 mld e 146 milion lekë vetëm për periudhën korrik-shtator 2019.

Sipas ministrive largimet më të shumta nga administrata dhe si rrjedhojë edhe detyrimet rezultuan që t’i ketë ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me 437 mln lekë e ndjekur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 391 mln lekë si dhe ministria e Turizmit dhe Mjedisit me 204 mln lekë.

Borxhe të konsiderueshme rezultojnë të kenë edhe ministria e  Drejtësisë, ministra e Brendshme si dhe e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Koston më të madhe e mbajnë ministritë të cilat në mandatin e dytë të qeverisë Rama u shkrinë duke u bashkuar edhe administratat përkatëse./NOA.al