Transmetuar më 29-10-2019, 11:07

Artan Lame, drejtori i Agjencisë së Kadastrës, thotë se abuzimet me pronat kanë ndodhur në të gjithë Shqipërinë dhe se pengojnë zhvillimin ekonomik.

Në një komunikim të sotëm me mediat ai deklaroi se abuzimi me pronën është shkelje e rendit kushtetues dhe bllokimi jetës ekonomike të vendit.

“Në këto 6 muaj operim të Kadastrës së re shqiptare janë kryer 30 audite, kontrolle dhe verifikime në të gjithë vendi. Janë marrë 120 masa për punonjësit përfshirë edhe largime nga puna. Madje si risi e jona masat janë shoqëruar edhe me vendosje gjobash për personat që kanë kryer shkelje. Janë trajtuar 7500 ankesa nga publiku dhe institucione të ndryshme ku pjesa dërrmuese kanë në sfond grabitjen e pronës. Do të mjaftonin këto shifra për të dëshmuar sesa i thellë është problemi”, u shpreh Lame.

Ai shtoi se harta e abuzimit me pronat përfshin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe se këto abuzime dendësohen në zonat me interes ekonomik.

Sipas tij, pikërisht në këto zona problemet e trashëguara të pronave bllokojnë shumicën e investimeve.

Këtu Lame përmendi zonën bregdetare përgjatë Jonit dhe Adriatikut apo zonat me fluks ekonomik si ato në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi dhe Elbasani. /a.y/noa.al