Transmetuar më 29-10-2019, 19:45

Boban Iliq shfrytëzon vrasjen e Almir Aliut për të demonstruar forcë, duke vendosur gjoba dhe kërcënuar të tjerë. Kallëzimin Penal që rezulton të jetë i datës 16 korrik 2019, dëshmon se Boban Iliq vrasjen e Almirit të vogël e shfrytëzonte për të ushtruar vetëgjyqësi në raste tjera.

Përkatësisht dokumenti vërteton se Iliq pranon se ka vrarë fëmijë. “Unë kam mbytur fëmijë, ndërsa ty të therë”. Kështu Boban Iliq ka kërcënuar një person në Kumanovë, për një konflikt interesi, ndërsa i dëmtuari këtë kërcënim e ka paraqitur në polici.

Ai akuzohet edhe për gjobvënie.

Ndërkohë edhe Prokuroria Publike konfirmon se ndaj Boban Iliq është ngritur akuzë dhe se është konstatuar vepra penale.

“Më 25 tetor 2019 është ngritur akuzë ndaj dy personave: Boban Iliq dhe J.S nga Kumanova. Të dy të akuzuarit janë marr në pyetje, nga ku prokurori përgjegjës ka konstatuar veprën penale “Vetëgjyqësi”. Në pyetje janë marr edhe palët tjera të përfshira në rast. Tani presim që Gjykata Themelore të caktojë seancë për procedimin e lëndës”, theksoi Prokuroria Publike.

Aktualisht çështja e vrasjes së Almir Aliut për të cilën akuzohet Iliq gjendet në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e shkallës së dytë gjendet para kallëzimit penal në të cilin vetë Iliq pranon vrasjen.

Edhe pas procesit të rigjykimit, Gjykata Themelore e Kumanovës, respektivisht gjykatësja Maja Denkoska ndaj katër të akuzuarve shqiptoi masën e njëjtë të dënimit si në vendimin e parë. Në fillim Boban Iliq akuzohej për “vrasje” me paramendim, ndërsa më pas si pasojë e ekspertizës neuropsikiatrike lënda u rikualifikuar në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” edhe pse rezultoi se ekspertizat janë bërë nga ekspertë pa licenca. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor 2016 në Kumanovë si pasojë e shtypjes me makinë të cilën e drejtonte Boban Iliq. Vrasjes i parapriu konflikti verbal mes prindit të Almir Aliut dhe vrasësit Boban Iliq./NOA.al