Transmetuar më 30-10-2019, 08:51

Një makth pa fund për Bahareh Zare Bahari, ish-konkurrente iraniane në konkursin e bukurisë Miss Intercontinental. 31-vjeçarja është bllokuar prej afro dy javësh në aeroportin ndërkombëtar të Manila në Filipine, për të shpëtuar nga kërkesa për ekstradim që Teherani ka lëshuar ndaj saj.

Sipas qeverisë iraniane, Bahari ka kryer krime kundër shtetit. Nga ana e saj, ish-Missi thotë për ‘Telegraph’ se, “Nuk jam përgjegjëse për asgjë. Jam një aktiviste politike dhe mbështes të drejtat e grave në vendin tim. Nëse do më depërtojnë në Iran, do më vrasin”.

31-vjeçarja deklaroi se 13 ditë më parë, teksa kthehej nga një udhëtim në Dubai, u ndalua në një dhomë të aeroportit, me kërkesë ekstradimi nga Interpol. Ajo thotë se autoritetet iraniane të Teheranit, nuk e vlerësuan shfaqjen e saj në konkursin e bukurisë të vitit 2018, gjatë të cilit sfiloi nën flamurin e ish-monarkisë iraniane.

“Doja ti jepja zë opinionit më të madh të vendit tim që është kundër regjimit aktual të korruptuar dhe që duan të kthehet monarkia”, deklaroi Bahari.

Modelja ndër të tjera beson se është vënë në shënjestër për shkak të aktivizmit të saj social në mbështetje të të drejtave të femrave në vendin e saj dhe shton se “Dua që vajzat iraniane të mësojnë se kanë të njëjtat të drejta me meshkujt”.

Kërkesa për azil e ish-Missit po shqyrtohet nga Departamenti i Drejtësisë në Filipine. Organizata ndërkombëtare ‘Human Rights Watch’, bën apel që të vlerësohet kërkesa e saj.

Në një video të publikuar në Facebook, vajza tha se, “Filipinet janë shtëpia ime e dytë. Studioj dhe jetoj në Manila prej gjashtë vitesh, për këtë arsye pres dhe mbështetjen e qeverisë. Fatkeqësisht e di që në të ardhmen nuk do mund të vazhdoj të jetoj këtu pasi është shumë e rrezikshme për mua. Duhet të transferohem në vende të tjera dhe shpresoj në ndihmën e tyre, Gjithmonë jam munduar të mbështes njerëzit e mi kundër regjimit të tmerrshëm iranian. Nuk do të dorëzohem”. /a.y/noa.al